E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 4 vjet tentohet katërfishimi i prodhimit të vajit të ullirit

Kryeministri Berisha merr pjesë në konferencën kombëtare “Ullishtaria shqiptare në rrugën e zhvillimit intensiv”. Pesëfishimi i fondit për ullirin është një nga zotimet më ambicioze të qeverisë në katër vitet që vijnë. Ne duhet të mbjellim në 4 vjet 20 milionë rrënjë ullinj, për të hapur perspektivën e së paku 30 milionë të tjera gjatë viteve në vazhdim


Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në Konferencën Kombëtare “Ullishtaria shqiptare në rrugën e zhvillimit intensiv”. Punimet e kësaj konference kishin si qëllim ecurinë e deritanishme të projektit madhor të qeverisë shqiptare në sektorin e bujqësisë, si dhe paraqitjen e objektivave strategjikë të zhvillimit të këtij sektori për periudhën 2009-2013. Të pranishëm në këtë konferencë ishin Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z. Genc Ruli, përfaqësues të Parlamentit, drejtues të Instituteve të Ullirit, përfaqësues të projekteve të ullirit, specialist të kësaj fushe nga i gjithë vendi, etj. Kryeministri theksoi se projekti për ullirin, i shpallur nga qeveria si projekt kryesor për katër vitet që vijnë për bujqësinë shqiptare, është një projekt kompleks, ambicioz, i cili synon një përmirësim të rëndësishëm të fondit të ullishtës ekzistuese dhe një përpjekje të gjithanshme për rritjen e prodhimit të saj. Në këtë kontekst, Kryeministri siguroi se qeveria do të shtojë në buxhet fondet për investimet në këtë sektor. “Pesëfishimi i këtij fondi në katër vitet që vijnë është një nga zotimet tona ambicioze. Ne duhet të mbjellim në 4 vjet 20 milionë rrënjë ullinj, për të hapur perspektivën e së paku 30 milionë të tjera gjatë viteve në vazhdim”, tha Kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi punën e bërë nga ministria e Bujqësisë dhe grupi i punës i ngritur për projektin ambicioz të ullirit, të cilët kanë bërë një studim serioz të tokës, parcelave të mundshme për mbjelljen e ullinjve dhe gjendjes ekzistuese të tyre, si dhe të gjitha politikat që duhen ndjekur në këtë drejtim.


Në përshëndetjen e tij të plotë në këtë konferencë, Kryeministri Berisha u shpreh: “Së pari, dua t’’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju shpreh kënaqësinë e veçantë për këtë nismë, organizimin e konferencës kombëtare për ullirin, njërin nga projektet më të mëdha për bujqësinë shqiptare, në të gjitha kohërat. Një nga trashëgimitë më të mëdha të kësaj bujqësie, është një fond ullinjsh prej rreth 5 milionë rrënjë. Por situata e ullishtave shqiptar është problematike. Ndonëse ajo përbën bazën e jetës të pothuajse 100 mijë familjeve shqiptare, sërish duhet të themi se prodhimi i ullishtës ekzistuese të vendit është 4 deri në 5 herë larg prodhimit të ullishtave të vendeve tradicionale të rritjes së ullirit. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një terren e klimë shumë të favorshme për kultivimin e ullirit. Nuk ka një vend tjetër ku ulliri mund të zhvillohet më i shëndetshëm, më i fuqishëm, sesa në Shqipëri. Toka, uji, dielli, pra janë të gjitha kushtet që bëjnë të mundur kultivimin dhe zhvillimin e tij, në 9 nga 12 qarqet që ka vendi, nga Hani i Hotit deri në Ksamil, nga brigjet e detit, deri në thellësitë e brendshme të vendit. Në këtë kontekst, qeveria shpalli projektin e ullirit si projekt kryesor për katër vitet që vijnë për bujqësinë shqiptare. Projekti i ullirit është një projekt kompleks, ambicioz, i cili synon në radhë të parë një përmirësim të rëndësishëm të fondit të ullishtës ekzistuese dhe një përpjekje të gjithanshme për rritjen e prodhimit të saj. 5 milionë rrënjë ullinj kanë një prodhim 4-5 herë më të ulët se në Greqi, Spanjë apo Itali. Por ka një mundësi reale, nëpërmjet shërbimeve dhe mbrojtjes, rritjes së sistemit të vaditjes, që prodhimi në këto ullinj së paku të katërfishohet. Por qeveria nuk ka ndërmend që të rrijë me fondin ekzistues. Pesëfishimi i tij në katër vitet që vijnë është një nga zotimet tona ambicioze. Ne duhet të mbjellim në 4 vjet 20 milionë rrënjë ullinj, për të hapur perspektivën e së paku 30 milionë të tjera gjatë viteve në vazhdim. Janë qindra mijëra hektarë tokë në të cilën mund të mbjellim, më mirë se çdo gjë tjetër, ullirin. Nuk dua të flas për vlerat e tij, sepse ato tashmë janë të njohura, por tregu i tij është i përjetshëm, i garantuar. Ndaj ne duhet të përqendrohemi, më të gjithë potencialit tonë, që të ecim me shpejtësi drejt shfrytëzimit të kësaj mundësie të madhe për fermerët shqiptarë dhe për Shqipërinë. Ministria e Bujqësisë dhe grupi i punës, i ngritur pranë kësaj ministrie për projektin e ullirit, kanë bërë një punë të lavdërueshme, kanë bërë një studim serioz të tokës, parcelave, gjendjes ekzistuese të tyre. Në ullishtat ekzistuese parashikohet një ndërhyrje në 17 mijë hektarë, ndërkohë që grupi i punës ka përcaktuar ngastrat, tokat se ku do të mbillen ullinjtë, ka përcaktuar një sipërfaqe prej 60 mijë hektarësh të cilat do të përdoren për mbjelljen e 20 milionë rrënjë ullinj gjatë këtyre 4 viteve, ka përcaktuar koston jo vetëm të këtyre proceseve, por edhe të infrastrukturës së domosdoshme, sistemit të vaditjes, infrastrukturës rrugore, sistemit të përpunimit të tij. Mendoj se kjo është një punë serioze, e cila natyrisht do të shkojë drejt shqyrtimit dhe rishqyrtimit të saj. Qeveria po financon impiantet e përgatitjes së fidanëve të ullirit, por duke theksuar këtë, unë i bëj thirrje sektorit privat, i bëj thirrje 70 kompanive private të cilat prodhojnë sot fidanë ulliri, të 2-3-4-fishojnë prodhimin e tyre. Qeveria mund të ndërhyjë përmes subvencionimit, por besoj jemi dakord se ndihma më e madhe që u jep qeveria këtyre kompanive është garantimi i tregut për to. Qeveria këtë vit ka përcaktuar një fond në buxhet dhe ditët e fundit të shqyrtimit të buxhetit, ne bëmë ndërhyrje të veçanta në buxhet në favor të ullirit, në mënyrë që të zgjerohet sa më shumë sipërfaqja e mbjellë, të garantohet tregu për kompanitë prodhuese të fidanëve. Ministria e Bujqësisë duhet të shqyrtojë të gjithë mekanizmat, me të cilët, me vendet mike, me Italinë në kuadër të kooperacionit Italian, me Spanjën në kuadër të bashkëpunimit me këtë vend, me Greqinë në kuadrin e fondit helenik, në mënyrë që edhe në këtë aspekt, të mund të përfitojmë sa më shumë ndihmë për ullishtarinë në Shqipëri, ndihmë në fidanë, në impiante përpunimi, në mbrojtjen biologjike dhe çdo kujdes tjetër ndaj tyre, etj. Ky projekt është kompleks dhe realisht kërkon rreth 650 milionë dollarë, por ky është një investim afatgjatë i mrekullueshëm, është një investim i cili do të punësojë dhjetëra mijëra shqiptarë, është një investim që do t’i japë tregut të vendit dhe tregut botërorë një nga prodhimet më të mrekullueshme të natyrës.


Ndaj unë ju përgëzoj për këtë konferencë dhe ju garantoj se qeveria do të mobilizojë të gjitha burimet e nevojshme, financiare, njerëzore, teknologjike, për suksesin e sigurt të këtij projekti. Faleminderit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›