E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trekëndëshi i Këpucës

Tekëndëshi i Bermundës ka mbetur një nocion gjografiko-tragjik, i mbështjellë me  mister, për një numër zhdukjesh pak të shpjeguara. Qysh pesëdhjetë vite e këtej është përvijuar, le të themi, edhe “Trekëndëshi i Këpucës”, një nocion gjeografiko-politik, brenda të cilit bjerren vlera vetjake, dhe më shumë se aq. Janë tri këpucë, dy thuajse historike, njëra banale. E para ishte sovjetike. E dyta qe irakiane. E treta është e gabit shqiptar. Këto janë ndodhi të çuditshme, deri edhe për të qeshur, mjaft të ndryshme mes tyre, që të përbashkët kanë këpucën, e cila blihet sipas këmbës, mbathet për të ecur, shkel kahmos pastër-pis, llustrohet-ndotet, dhe vetëm në tri raste është përdorur për protestë.

Në këta pesëdhjetë vjet, të parin incident me këpucë nuk e bëri një njeri dosido, por as më pak e as më shumë, veç kreu i superfuqisë së dytë botërore, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Sergejeviç Hrushov. Më 12 tetor, të vitit 1960, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, tek fliste Lorenzo Sumulong, kryesuesi i delegacionit të Filipineve, Nikita Hrushov la pa gojë OKB-në dhe gjithë botën, tek hoqi këpucën nga këmba e vet dhe me të goditi fort bum-bum-bum tavolinën ku rrinte. Sallën gjigande e përfshiu kaosi. Vetëm kur Presidenti i Asamblesë, Frederik Boland përdori çekiçin, u vendosur qetësia. Ky rast ka hyrë në histori si “incidenti i përplasjes së këpucës”, në OKB. Asaj kohe, kjo u mësua menjëherë edhe në Shqipëri, por kurrë nuk u shkrua në shtyp për atë gjest të pangjarë dhe kurrë nuk u dha figurë televizive. Për atë veprim, gjithandej, flitej dy sojesh: të flaktit për Bashkimin  Sovjetik dhe politikën e Moskës, e mburrën si rast të madh kuraje e sfide. Të tjerë, më fort nën zë, thoshin ndryshe: Çfarë turpi! I pari i gjithë atij Bashkimi Sovjetik, e zbathi këpucën me erë të këmbës dhe përplasi mbi tavolinë e para syve të gjithë botës! Atë pamje të jashtëzakonshme, ne shqiptarët kemi mundur ta shohim në ekran vetëm pas ndryshimit të sistemit. Ajo histori, gazmore dhe bjerrjeje e vlerave vetjake, e njeriut me pushtet të fuqishëm, nuk u bë me raketa balestike dhe atom ( për fat të mirë!), por me shollin e këpucës, mbi sipëranën e një tavoline, duke shkaktuar, më fort se zhurmë të mbytur, ilaritet dhe habi: Vallë, lajthiti?!

Atëherë, kur ky incident botëror strukej i pluhrosur arkivave të televizioneve dhe  i rrezikuar kujtese tek njerëzit e moshuar, ai zuri vend befas, ekraneve të kaltër, më 14 dhjetor të vitit 2008, kur u përsërit “incidenti i gjuajtjes me këpucë”, kundër Presidentit të SHBA, Xhorxh W. Bush, gjatë vizitës së tij të fundit në Irak. Gazetari irakian i kanalit TV Bhagdadia, Muntadhar al-Zaid, i përvjedhur për atë qëllim brenda sallës së konfrencës së përbashkët për shtyp, të Presidentit amerikan dhe kryeministrit irakian, nxori këpucën dhe e vërviti për të goditur … jo presidentin, por SHBA. Bota e pa me sy dhe e shtjelloi ngjarjen, siç tanimë dihet. Nëse përplasjen e këpucës së Hrushovit e patën quajtur edhe lajthitje, gjuajtja me këpucë nga gazetari irakian u quajt si guxim. Por që të dy - edhe politikani kryesor sovjetik Hrushovi, edhe reporteri i zakonshëm Zaid,  qenë të pafat, sepse ata u përpoqën të fyejnë, ndërsa mbetën të vetfyer. I pari bëri për gaz shtetin gjigand që nuk ekziton më, tjetri u bë i njohur nga këpuca.

Kur me dy këpucët e përdorura nuk u mor ndonjë gjë nga qëllimi përfitues, nuk të shkonte mendja se këpuca mund të përsëtretej. Por parashikimi nuk u vërtetua. Më 4 nëntor, këpuca u thirr për një përdorim të shfytyruar, në krahasim me shembullin më të hershëm a më të vonë, prej nga u mor frymëzimi. Hrushovi dha pamjen më vulgare të mendësisë politike sovjetike, natyrisht me një kurajë estrade, sepse e kreu me vetdije, para miliona sysh të botës. Zaid solli mendësinë e kundërshtarit fanatik të Shteteve të Bashkuara, e kreu veprimin siç bëjnë kamikazet në mjedise të tejmbushura. Ai u mburr për çfarë bëri, nuk iu shmang autorësisë (s’kish se si), dhe mori mburrje e pasoja. Kurse këpuca e hedhur kundër Kryeministrisë, në Tiranë, ishte mjerimi i protestimit të këpucës, sepse mbeti një veprim që në shqipe thuhet “hodhi gurin, fshehu dorën”, kishte diçka bizantine, ose ballkanike, sepse askush nuk e hoqi nga këmba e vet. Gazetarë të njohur, që morën pjesë në protestë, për çështjen e drejtë dhe urgjente të mbrojtjes së gazetarëve nga dhuna, u distancuan që atë minut, se nuk ishin për përdorimin e këpucës, sidomos alla Zaid. E majta, që pati të vetët në protestë në një mënyrë të paformalizuar, nuk tha se këpucët e blera te gabi apo të mbledhura plehrave, u shërbyen nga ide të saj për të protestuar. Njoftimet bënë të ditur që “këpucët u hodhën nga disa të rinj që ndodheshin në protestë”, dhe, asisoj, veprimi u la e mbeti pa autor. Shqipëria ka dinamikë jete, por prodhon pak ide. Kjo vërehet lehtësisht: politika kopjon modele fushatash zgjedhore, dhe këtë nuk e fsheh; moda përshtat modele të stilistëve, dhe nuk ka si ta fshehë; televizionet imitojnë programe, dhe nuk mund të fshihen; kurse hedhja e këpucës, në Tiranë, nuk pati autor, vetjak apo kolektiv: u hodh e askush nuk tha, e hodha unë ose e hodhëm ne!

Protesta është e ligjshme në demokraci dhe ato kryhen paqësisht, me parulla, me të bërtitura, në heshtje, me fjalime, me flakje të domateve, vezëve, gurëve apo parakalim krejt lakuriq, ndonjëherë të dhunshme, me thyrje xhamash e djegie, rrallëherë me armë dhe, ky i fundit është një shembull i keq që ne i kemi dhënë botës. Por, në gjysmë shekulli, dimë që këpuca të jetë përdorur tri herë, duke plotësuar trekëndëshin Moskë-Bagdad- Tiranë. Hedhja apo goditja me këpucë, që mbart kuptim fyes, duhet të ketë ndodhur si gjest, diku në shkretëtirë, ku nuk ka çfarë të të zëjë dora dhe heq këpucë e ia vërvit dikujt, siç bëri gazetari irakian, apo Hrushovi u vetndje në një zbrazëtirë politike të pabesueshme dhe goditi me takën e trashë të saj. Në protestën e fillimit të nëntorit, të një numri gazetarësh, në Tiranë, hedhja e këpucës ishte mjerim ideje dhe kurajo, nuk qe as sovjetike as irakiane, sepse veprimi qe përshtatur në mënyrën e rëndomtë: godit dikë dhe ik, njollos dhe fshihu! Aksioni mbeti edhe pa autorin e mbledhjes së këpucëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›