Topi: “Pavarësia e Kosovës është përfundimtare, nuk ka skenarë ndarjeje”
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pritur dje në një takim Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili nisi dje vizitën dyditore në Shqipëri. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, presidenti shqiptar theksoi se pavarësia e Kosovës është përfundimtare dhe se nuk mund të ketë skenarë për ndarjen e saj. Ndërsa Presidenti i Kosovës, Sejdiu, vlerësoi rolin e diplomacisë shqiptare në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 52 vende të botës. Ai veçoi si më të rëndësishme njohjen e pavarësisë nga shtetet fqinje, si Maqedonia dhe Mali i Zi.
Takimi
“Në mënyrë të padiskutueshme, pozicioni i Shqipërisë, i popullit shqiptar, i institucioneve të Shqipërisë, është që çështja e Kosovës është një çështje që konsiderohet e përfunduar nga pikëpamja e njohjes dhe e konstituimit të saj. Nuk mund të ketë më rikthim te çështjet e vjetra, nuk mund të ketë skenar për ndarje të Kosovës. Kosova do të projektohet si e tillë në tërë integritetin e saj, ashtu sikurse është njohur nga populli i Kosovës, nga bota më e rëndësishme e institucioneve ndërkombëtare, si një vend integral, si një vend që do t’i kontribuojë ndjeshëm paqes dhe stabilitetit rajonal”, - është shprehur presidenti shqiptar, Bamir Topi. Në takimin me Presidentin e Kosovës, Topi u shpreh se tashmë e ardhmja e Republikës së Kosovës është e projektuar qartë në proceset integruese euroatlantike. “Vendet tona dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një shprehje eksplicite, të qartë për të ardhmen e tyre euroatlantike dhe të gjithë janë të predispozuar që të punojnë në këtë linjë”, - është shprehur Topi. Ai gjithashtu theksoi se pavarësia e Kosovës përbën një element të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. “Ne e konsiderojmë rolin e Kosovës, të institucioneve të saj, pavarësinë e Kosovës, si një element të qenësishëm në funksion të stabilitetit rajonal. Kjo vlerësohet jo thjesht prej meje, vlerësohet nga e gjithë bota, vlerësohet nga të gjitha institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare dhe ajo që vlerësohet akoma më shumë është pikërisht roli i lidershipit institucional dhe i politikës”, - është shprehur kreu i shtetit shqiptar. Ai gjithashtu ka konstatuar se në Kosovë është vendosur tashmë qetësia dhe një ekuilibër i rëndësishëm institucional dhe shoqëror. “Kosova po projektohet gjithnjë e më shumë si një shtet multietnik, në respekt të të drejtave të qytetarëve, të të drejtave të minoriteteve, në një vend ku çdo ditë implementohen rritje me standarde europiane, në funksion të zhvillimit të një shteti me parametrat e demokracisë, të shtetit të së drejtës”, - është shprehur Topi, ndërsa theksoi se është e rëndësishme intensifikimi i bashkëpunimit midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, si në komunikimin midis njerëzve, në shkëmbimin e mallrave dhe në zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit.
Po kështu, presidenti Topi ka theksuar nevojën e vendosjes sa më parë të misionit të EULEX-it në Kosovë, në mënyrë që situata të normalizohet në të gjitha linjat e funksionimit.
Bashkëpunimi
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga ana e tij ka falënderuar klasën politike shqiptare për mbështetjen e dhënë gjatë viteve për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Ai gjithashtu ka vlerësuar bashkëpunimin midis dy vendeve, veçanërisht bashkëpunimin në fushën e diplomacisë, duke vënë theksin se falë mbështetjes së Shqipërisë pavarësia e Kosovës është njohur tashmë nga 52 vende të botës. “Për ne është shumë e rëndësishme të theksojmë edhe një herë se mbështetja e Shqipërisë ka qenë shumëdimensionale dhe është shtrirë në rrafshe të shumta, pastaj që janë mbështetje për një periudhë të gjatë kohore dhe veçanërisht në atë që e kemi theksuar në përmbylljen e ciklit të mëvetësisë së saj si në planin ndërkombëtar, si në planet e tjera”, - është shprehur Sejdiu, ndërsa ka theksuar se objektivi i Kosovës tashmë është integrimi në BE dhe në NATO, duke ndjekur rrugën e Shqipërisë. “Na gëzon fakti që Shqipëria ka kapërcyer sfida të mëdha, që ka marrë ftesën që të jetë anëtare e NATO-s dhe se kjo cilësi që ka do të jetë nxitje për të mirë edhe për Republikën e Kosovës”, - është shprehur kreu i shtetit të Kosovës. Ai vlerësoi si shumë të rëndësishme njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet fqinje, si Maqedonia dhe Mali i Zi. “Për ne është me rëndësi që kemi 52 shtete që e kanë njohur Kosovën, që është mbyllur cikli i vendeve të rajonit me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Flas me këtë rast të veçantë për Republikën e Malit të Zi dhe Republikën e Maqedonisë, dhe është një sinjal i veçantë që hap një kapitull të ri të bashkëpunimeve tona rajonale”, - ka theksuar Sejdiu.
Topi dekoron Sejdiun me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Gjatë takimit të djeshëm, presidenti Bamir Topi dekoroi Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në udhëheqjen e rezistencës popullore kosovare dhe të gjithë veprimit politik për fitoren e Pavarësisë së Kosovës e ndërtimin e një shteti të ri demokratik, për rolin e tij të rëndësishëm si politikan e respektuar nga populli i tij dhe faktori ndërkombëtar, në krijimin e ekuilibrave politikë dhe institucionalë”. Ndërsa gjatë ditës së sotme, të dy presidentët do të inspektojnë punimet në autostradën “Rrëshen-Kalimash”, e cila shkurton distancën midis dy shteteve.
4 Nentor 2008