E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në 8 vite, PS s’dha një qindarkë - shpërbleu ‘hanxharët’ e Byrosë Politike”

06-03-2012 / Gazeta 55

Pas ndryshimeve ligjore, nis dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve


Kryeministri Berisha u ndal dhe në një tjetër çështje tjetër, në atë të dëmshpërblimit për të përndjekurit politik. Sipas Berishës, vonesat kanë ardhur për shkak të ndryshimeve ligjore, ndërsa menjëherë pas kësaj faze, do të nisë edhe dëmshpërblimi i ish të dënuarve politik. “Çështje tjetër që unë desha të ndalem, është çështja e këstit të dytë për të përndjekurit politik. Dëmshpërblimi. Vonesa nuk ka pasur asnjë shkak tjetër, përveçse ndryshimeve që ne i kemi bërë ligjit edhe gjatë kësaj periudhe. Ndryshimet që i bëmë ligjit gjatë kësaj periudhe, shtojnë numrin e dosjeve që duhet të shqyrtohet dhe rasteve. Ndërkohë që ligji ekzistues ka përcaktimet e tij. Nuk ka qenë kjo një mungesë ndjeshmërie, jo. Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave kanë qenë në diskutim të vazhdueshëm se cilat do të ishin mënyra e kapërcimit të situatës së krijuar me amendimet e reja. Kanë gjetur rrugën, do të bëhen ndërkohë  gjatë dy javëve të para të marsit, 2-3 ndërhyrje nënligjore dhe do të nisë menjëherë disbursimi i këstit të dytë, për ata që janë për këstin e dytë, ndërkohë plotësimi i dosjes së këtyre për kastin e parë dhe këta do të marrin këstin e parë”, u shpreh Berisha. Duke u ndalur te tryeza e kryetarit të opozitës, Edi Rama me ish të përndjekurit, Berisha tha se të pranishmit ia thanë në sy kryesocialistit, se partia e tij në 8 vite qeverisje, nuk dha asnjë qindarkë për këtë shtresë, ndërsa shpërbleu “kasapët”. “Unë i pashë që kishte mbledhur  3-4 vetë Edi Rama, por unë i përgëzoj ata që ia thanë në sy atë që meritonte. Nuk ka kuptim, të marrësh ti njerëz, që kanë vuajtur për vite të tëra në burgje dhe ti vendosësh para Gramoz Ruçit dhe miliarderes Keti Bozhdari. Megjithatë, ata kalorës të besimit të tyre në vlera, ia thanë Edi Ramës. I thanë dhe atë, që tetë vjet rresht në pushtet nuk dhe një qindarkë, për ne dhe shpërbleve hanxharët tanë. Se atyre ua dhanë paratë të gjitha, Nexhmie Hoxhës, Ramiz Alisë të gjithëve, këtyre ua bllokuan dhe atyre jua shpërblyen se kishin bërë krime. Çdo parti politike ka të drejtë të ndërtojë platformën e vet, por natyrisht mbi një shqyrtim të realitetit dhe jo falsifikimit, se tani cilindo mund të vendoste ai në krah, por të vendosësh Gramozin, ministrin e fundit të torturës së regjimit komunist! Ai nuk mund të dilte aty, të paktën për anën më formale. Atë kishte zgjedhur për t’ua dhënë mesazhin”, tha më tej kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›