E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tirana duhet të ketë një muze të gjenocidit kundër shqiptarëve gjatë dy shekujve”

06-03-2012 / Gazeta 55

Berisha: Populli shqiptar, më i masakruari në botë, pas atij hebre në Luftën e Dytë Botërore


Kryeministri Sali Berisha ka falënderuar Lulzim Bashën për organizimin e kësaj ekspozite për të kujtuar kalvarin e vuajtjeve të shqiptarëve dhe për përzgjedhjen e kësaj dite të veçantë që përkujton edhe masakrën e Prekazit. “Zoti kryetar, keni zgjedhur një ditë të veçantë, për të hapur këtë ekspozitë. Ditën e sakrificës, e vetëflijimit, e heroizmit më të madh në historinë e këtij kombi. Në tërë historinë tonë, ne kemi mijëra, dhjetëra mijëra e qindra mijëra martirë që ranë nga luftërat e Lidhjes së Prizrenit, deri në betejat për liri e të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Por në tërë këtë histori, në krye të altarit të lirisë së këtij kombi qëndron vigan, Adem Jashari, qëndrojnë Jasharët si kurorë e heroizmit shqiptar, si kurorë e sakrificës shqiptare, si kurorë e patriotizmit shqiptar”, tha kryeministri Berisha. Duke i konsideruar “Kruja e Prekazi si tempujt e lirisë sonë kombëtare” kryeministri Berisha shprehu domosdoshmërinë e ngritjes së një muzeu në Tiranë për genocidin kundër shqiptarëve. “Zoti kryetar, është e domosdoshme që Tirana, kryeqyteti i vendit, të ketë një muze të veçantë për kalvarin e shqiptarëve këto dy shekuj, sepse për ne, harresa do të ishte turpërim i madh, do të ishte e pafalshme! Tirana duhet të ketë një muze të gjenocidit kundër shqiptarëve, në mënyrë që brezat, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë të shohin se cilat ishin sakrificat e paraardhëse të tyre, cila është drita që i udhëheq ata drejt së ardhmes që meritojnë”, tha Berisha. Ndërkohë duke u ndalur në peshën që mbart në vetvete kjo datë, kryeministri Berisha nënvizoi faktin se ekspozita tregon dhimbjen e kombit tonë. “Asnjë komb pas kombit hebre nuk, kaloi gjenocide, spastrime etnike, krime kundër njerëzimit siç kaluan shqiptarët. Sot kombi ynë është një komb i lirë dhe ekspozita çelet në ditën e sakrificës për liri”, tha kryeministri. Gjithashtu, ndalur në kalvarin e gjatë të sakrificave të shqiptarëve, Berisha veçoi se “në tërë historinë tonë ne kemi me qindra mijëra martirë, por në të gjithë këtë histori në krye të altarit të lirisë së këtij kombi qëndron gjigant, Adem Jashari, Jasharët. Adem Jashari qëndron si kurorë e heroizmit shqiptar, patriotizmit”, deklaroi Berisha. Sipas tij, sot nderohen të gjithë martirët e lirisë nga Kruja dhe Prekazi, që janë tokat e heronjve, që rrëmbyen armët dhe u përballën me spastrimet dhe luftën e egër.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›