“Diktatura e Enver Hoxhës, koha e krimeve çnjerëzore dhe terrorit të pashembullt”

Kryeparalamentarja Jozefina Topalli, i bën apel ish-partisë së Enver Hoxhës të kërkojë falje për krimet kundër shqiptarëve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh dje në seancën homazh, në nderim të kujtimit të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga regjimi komunist, 61 vjet më parë, se regjimi komunist kreu një nga barbaritë më të tmerrshme, e bazuar në akuza të rreme dhe të fabrikuara për “bombë në legatën sovjetike. Sipas Topallit, vendimi për ekzekutimin e 22 intelektualëve ishte një makinacion mafioz i Byrosë Politike me përfshirjen e Partisë së Punës, Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme që lëshoi firmat për ekzekutimin e intelektualëve. “61 vite më parë, tamam më 26 shkurt 1951, u pushkatuan 22 burra mes të cilëve një grua, të gjithë të pafajshëm. U krye një ndër masakrat më barbare e absurde, nën pretekstin e ‘bombës në legatën sovjetike’. Ky akt terrorist, i pashembullt që ne kujtojmë sot u ezaurua pas mbledhjes së plenumit të Komitetit Qendror, më datë 20 shkurt ku ministri i brendshëm i asaj kohe urdhëroi: ‘Të arrestojmë rreth 100 apo 150 vetë, nga të cilët 10 apo 15 prej tyre t’i pushkatojmë. Më pas do të bëjmë arrestime e internime të tjera. Nga procesverbali i Byrosë Politike lexohet se: Të gjithë anëtarët e Byrosë janë dakord me këto masa’. Këta 22 burra e gra, të rinj, të shkolluar u pushkatuan pa prokuror, pa avokat. Pa dosje hetimore, pa dëshmi, pa dëshmitarë. U pushkatuan pa gjyq e pa vendim. Ishte Vendim Partie. Vendim për dënim kolektiv. Sigurim i shtetit bëri listën e emrave. Pastaj u thirr prokurori për të shpikur akuzën për dënimin kolektiv ‘me pushkatim’. Por, në gjyqin ushtarak mungoi prokurori, mungoi pyetja, mungoi dosja hetimore, mungoi mbrojtja, mungoi e drejta e apelimit. Mungonin edhe firmat e dy anëtarëve të gjykatës. Mungonin të akuzuarit, sepse ato nuk jetonin më. Por shkohet më larg, u propozua një projektligj që lejonte ‘dënimet kolektive’, pa patur nevojë për të bërë gjyq. Meqë ministri drejtësisë Manol Konomi nuk e firmosi, atëherë shpikën dhe firmosen një dekret për ‘dënim kolektiv’ - me pushkatim. Ishte një kohë e dhimbshme. Kohë e krimeve monstruoze, të pashembullta, të nënshkruara nga dorë shqiptari. Ishte koha e tragjedive të vendit të shqiponjave”, u shpreh Topalli. Për kryetaren e Kuvendit, kjo ngjarje mori përmasat e një barbarie kundër njerëzimit, kur ekzekutorët e Enver Hoxhës, fshehën kufomat. Sipas saj, për 6 mijë viktimat e regjimit, s’është kërkuar falje as në ditët e sotme. “Për këtë tragjedi folën krismat e armëve, folën eshtrat, folën edhe gurët. Folën motrat, vëllezërit, bijtë, nipat e të pushkatuarve, folën qytetarët e fshatarët e ndershëm. Folën historianët, folën arkivat. Por, për to nuk folën kurrë Partia që mori vendimin, nuk folën prokurorët, nuk folën e treguan as vendin ku ata u pushkatuan. Nuk i treguan kurrë fëmijëve të tyre vendin ku ata të kërkonin që të gjenin kockat e njerëzve të tyre. Për to dhe për 6 mijë të tjerë të pushkatuar gjatë komunizmit nuk u kërkua falje asnjëherë - ende, as sot, pas 21 vitesh demokraci. Ndaj ne, përsëri sot, duhet të flasim me zë të lartë, e t’i tregojmë fëmijëve tanë, të rinjve se çfarë ishte ajo kohë. Sot, përsëri me zë të lartë, në emër të jetës e të së drejtës, në emër të Sabihasë kërkoj, që ish partia e Enver Hoxhës të kërkojë ndjesë, një ndjesë të thellë, ndjesë të vërtetë”, tha ajo.
22 intelektualët e ekzekutuar pa gjyq
Sabiha Kasimatin, Pjerin Guraziu, Anton Delhysa, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Manush Peshkëpia, Mehmet Ali Shkupi, Niko Lezo, Lluka Rashkoviçi, Haki Kodra, Reiz Selfo, Myftar Jegeni, Thoma Katundi, Hekuran Troka, Qemal Kasaruho, Tefik Shehu, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Petro Konomin, Pandeli Nova, Ali Qoralliu
...