E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjimi hoxhist s’kurseu as elitën e kombit - Bamir Topi refuzoi firmosjen e ligjit për lustracionin

06-03-2012 / Gazeta 55

Kuvendi i Shqipërisë nderon 22 intelektualët shqiptarë që u pushkatuan pa gjyq nga sistemi komunist 61 vjet më parë. Kryeministri thekson domosdoshmërinë e ndërtimit të institucioneve të kujtesës, që kjo e kaluar vrastare të mos përsëritet më


Në Ditën e Kujtesës, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në përkujtim të 22 intelektualëve të ekzekutuar pa gjyq nga regjimi diktatorial, kryeministri Sali Berisha bëri dhe njëherë thirrje për zbardhjen e të vërtetave të diktaturës së Enver Hoxhës. Sikundër u shpreh kreu i qeverisë, apeli për shoqërinë shqiptare, është që të mos harrohen bëmat gjakësore të “Hitlerit shqiptar”. Duke e cilësuar si ngjarjen më të tmerrshme dhe më të pashembullt në analet e historisë së regjimeve, ekzekutimin pa gjyq të 22 intelektualëve, kryeministri tha se makineria shtypëse e regjimit e shihte si rrezik ‘elitën’, sepse këta intelektualë, por edhe 5000 burra e gra të pushkatuar pa gjyq, besonin në një ideal të vetëm, lirinë e Shqipërisë. “Jemi mbledhur sot këtu për të përkujtuar ndoshta një nga ngjarjet më të shëmtuara të historisë së terrorit, të masakrave të regjimit të Enver Hoxhës, ekzekutimin pa gjyq të 22 intelektualëve shqiptarë, që përbënin ajkën e elitës kombëtare të krijuar në ato vite, në ato dekada të Shqipërisë së shkëputur nga perandoria osmane. Ky akt është i pashembullt në analet e historisë. Nuk mund të gjendet një akt tjetër në të cilin 22 qytetarë, 22 intelektualë, u ekzekutuan para se të vendoste gjykata për ta, u varrosën në një gropë të përbashkët, të hapur shumë ditë më parë sesa ata të arrestoheshin. U përzgjodhën njerëz që ndoshta as që e njihnin njëri-tjetrin, por që kishin të përbashkëta vlerat në të cilat besonin, personalitete që vunë gjithçka për çlirimin e vendit të tyre, por natyrisht besonin se vendi i tyre, kombi i tyre, do të gëzonte lirinë e merituar. Këta janë 22 intelektualë, por që përfaqësojnë 5 mijë burra e gra shqiptare të ekzekutuar pa gjyqe, qytetarë të këtij kombi. Ne jemi mbledhur këtu t’i nderojmë këta 22 personalitete dhe të gjithë ata që u ekzekutuan për bindjet e tyre, për besimin te Zoti, për bindjen te Shqipëria e lirë e demokratike, tek besimi i tyre te liritë dhe të drejtat e njeriut. Ata kanë vetëm një kushtrim, një apel: Mos na harroni! Ky apel nuk ka të bëjë aspak me ta, sepse ata i përkasin tashmë një bote tjetër, por ky apel ka të bëjë me ne, më shumë se me këdo tjetër, ka të bëjë me të rinjtë e këtij vendi. Ky apel nuk synon dhe nuk ka ndonjë kërkesë për glorifikimin e tyre. Përkundrazi, ka vetëm që qëllim; kjo histori të mos përsëritet më, kjo histori tragjike të memorizohet dhe të mbetet një mësim, një plagë, në ndërgjegjen kombëtare, individuale, të çdo qytetari të këtij vendi. Le të shohim me gjakftohtësi, me paanësi, me ndershmëri,  historinë tonë dhe atë të Evropës. Janë 5 mijë qytetarë të ekzekutuar pa gjyqe, janë dhjetëra e mijëra të burgosur e të internuar. Por ku jemi ne? Në këtë aspekt, ju garantoj se ne jemi në udhëkryq. Ne jemi njerëz të lirë, por sërish jemi në udhëkryq. Ne mendojmë se kjo që ndodhi kalohet duke e arkivuar. Në rast se veprojmë në këtë mënyrë, ne kërcënojmë të ardhmen tonë. Historia fakton disa gjëra shumë interesante; në raportet e mirë - e keqe, dashuri - urrejtje, njerëzi- barbari, të gjitha këto ekzistojnë në ‘fakultetet’ mendore të njeriut. Ata që lexojnë dhe shohin literaturë, këtë e kanë shumë të qartë. Por njeriu bën gjithçka që të zhvillojë ‘fakultetet’ e tij mendore më të arrira, më pozitive, më të vyera. Ne jemi në udhëkryq, sepse ne nuk kemi arritur të përballemi me të shkuarën tonë, absolutisht jashtë çdo sensi hakmarrjeje. Ne ligjet i kemi, jemi i vetmi vend me ligjin e Genocidit, i cili është në fuqi. Ky ligj është aplikuar në mënyrë simbolike. Rëndësi të jashtëzakonshme ka fakti që ajo që kemi kaluar, të ketë folenë e vet në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Gjermanëve u ndodhi tragjedia më e madhe e historisë së tyre, në Luftën e Dytë Botërore, por ata patën një mendimtar të madh, një filozof gjenial që u tha; jeni fajtorë!. Kjo u shërbeu atyre për të kuptuar se; Sërish, kur të dalim në krye të botës si vend i fuqishëm e i zhvilluar, kurrë të mos lejojmë më të shkatërrojmë veten tonë. Kjo ndërgjegje i shoqëroi ata nga gjenerata në gjeneratë”, u shpreh Berisha. Për kreun e ekzekutivit, zbardhja e të vërtetave është detyrim ndaj çdo shqiptari, por nisma e mazhorancës, përmes ligjit të “Lustracionit”, u refuzua nga Presidenti i Republikës. “Ju vini sot këtu duke pasur mallin e madh, dhimbjen e thellë për njerëzit tuaj që u pushkatuan, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm, por ju të gjithë e dini se janë me dhjetëra e mijëra të tjerë që nuk provuan kurrë burgjet e kampet e përqendrimit, por vdiqën për kafshatën e gojës, vdiqën nga sëmundja dhe uria e sistemit kolektivist që ai vendosi në këtë vend, njerëz që në shekuj nuk e kishin njohur varfërinë dhe që përfunduan në njerëz të uritur që prisnin vdekjen si rruga e vetme për t’i shpëtuar urisë së përditshme. Kjo ishte e vërteta. Ku jemi ne sot? Ne jemi shumë larg një përpjekjeje të madhe kombëtare për vet ndërgjegjësim. Ky vend përdori ligjin për dënimin e krimit dhe genocidit komunist dhe bëri një gjë shumë të madhe. Vende të tjera nuk kishin një regjim si ky dhe, të gjitha krimet e diktaturave ish komuniste të vendeve lindore nuk përbëjnë statistikisht as gjysmën e krimeve të kryera nga diktatura hoxhiste. Ku jemi ne sot? Rreth 5 vjet më parë dërguam në Presidencë një përfaqësues, duke besuar se i përkiste të djathtës shqiptare. Por ai refuzon të firmosë ligjin për Lustracionin komunist, s’firmos ligjin për të zbardhur të vërtetat për atë institucion që ishte hanxhari që u përdor për të ekzekutuar këta burra dhe 5 mijë të tjerë. Madje thotë se unë e ktheva se do më gjuanin me gurë, (e kishte fjalën për ju apo për PD-në, ik e merre vesh këtë). Por kjo nuk ka rëndësi”, deklaroi kryeministri. Duke e cilësuar një nga ngjarjet më të shëmtuar të historisë sonë, kryeministri Berisha theksoi se këta intelektualë kanë vetëm një apel atë të mos harrohen. “Jam sot këtu për t’i bërë një apel kësaj shoqërie, për t’i bërë një apel veçanërisht krijuesve shqiptarë, sepse ata, më shumë se kushdo tjetër, mund të kontribuojnë për të bërë një apel mbarë shoqërisë shqiptare që të mos harrojmë se, ne patëm fatin e zi të përjetojmë diktaturën e diktatorit më gjakësorë pas Hitlerit, ndaj dhe do ta quanin ‘Hitleri shqiptar’. Dhe ata që e quajtën ‘Hitleri shqiptar’ ata e bënë këtë vlerësim, jo se nuk e dinin që Enver Hoxha gjatë luftës luftoi kundër Hitlerit, sepse të gjitha këto 37 parti kishin qenë parti rezistence. Por ato e dinin se, Hoxha pas luftës, i bëri kombit të tij ato që Hitleri i bëri gjatë luftës. Ky apel ka për qëllim që kjo histori të mos përsëritet më dhe të memorizohet dhe të mbetet si plagë në historinë e vendit”, theksoi më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›