Brukseli: “Statusi merret nëse ka vullnet politik për reformat”

Ambasadori i Komisionit Europian, Ettore Sequi u ka dhënë fund kalandrave që “këndojnë” mosmarrjen e statusit të vendit kandidat edhe gjatë këtij viti. Ai e ka interpretuar miratimin e ligjeve të cilësuara në parlament si një shenjë se palët mund të bashkëpunojnë në të mirë të Shqipërisë, që ajo ta marrë statusin tetorin e këtij viti
“Koha është e mjaftueshme për plotësimin e 12 rekomandimeve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që Komisioni t’i akordojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.
Kështu u shpreh dje shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi i cili tha se brenda 7 muajve, Shqipëria duhet të përmbushë detyrat e Brukselit.
Sipas tij, vendimin për marrjen e statusit ose jo, do ta japë Komisioni Europian në tetor të këtij viti, në progres-raportin vjetor.
Ambasadori i BE-së tha se politika në vend po jep sinjale inkurajuese siç është miratimi i Kodit Penal në seancën e fundit parlamentare dhe në anën tjetër diskutimet për reformën zgjedhore. “Nuk e di nëse Shqipëria do e marrë apo jo statusin e vendit kandidat. Raport progresi do të dalë ne tetor dhe ai do të përcaktojë nëse vendit tuaj do t’i jepet statusi. Por deri në tetor ka shumë kohë dhe ka shumë gjëra që duhen bërë. E rëndësishme është se ka një progres në përmbushjen e prioriteteve kyçe, duke filluar nga ato politike. Ka sinjale inkurajuese si për shembull miratimi i Kodit Penal 3 ditë më parë apo dhe diskutimet për reformën zgjedhore”, u shpreh Sequi.
Ambasadori kërkoi nga të gjitha palët të bashkëpunojnë në mënyrë që të bëjnë të mundur përmbushjen e rekomandimeve të kërkuar nga Bashkimi Europian. “Pra e rëndësishme është të arrihet progres dhe unë besoj se me vullnet politik dhe angazhim, statusi mund të jetë i mundur. Por ashtu siç tha edhe pak ditë më parë Komisioneri Fyle, e rëndësishme mbetet progresi në përmbushjen e prioriteteve kyçe”, tha ai.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi bëri thirrje që, klasa politike të tregojë vullnet për të arritur integrimin e vendit në familjen europiane.