E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në 8 vite të Shkollës së Magjistraturës, rasti i parë që nuk emërohen magjistratët”

Reagon ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për mosemërimin e gjyqtarëve magjistratë

TIRANE - Dy ditë pas deklaratës në media të 10 magjistratëve të rinj që pretendojnë se po pengohet procesi i emërimit të tyre në sistemin gjyqësor, vjen reagimi i ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili shprehu të hënën shqetësimin lidhur me këtë çështje.
Ministri Alibeaj tha se “studentët e sapodiplomuar kanë të drejtë të kërkojnë zbatimin e procedurave korrekte ligjore nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) sepse përndryshe do të mbetet peng emërimi i tyre përfundimtar”.
“Ky është rast i rëndë, pasi në 8 vite të jetës së Shkollës së Magjistraturës, e cila nxjerr magjistratë të rinj, pra gjyqtarë, është rasti i parë që të mos emërohen magjistratë ndërkohë që, të gjithë kemi pranuar që kjo Shkollë është risia më e bukur e sistemit ligjor dhe ka sjellë njerëz të aftë, me integritet dhe frymë të re në këtë sistem”, u shpreh Alibeaj.
Ministri i Drejtësisë shpjegoi procedurën për emërimin e tyre.
“Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, i cili është ligji bazë që rregullon procedurat dhe përcakton organin e emërtesës si dhe ligjit për Shkollën e magjistraturës, organi që emëron magjistratët në sistemin gjyqësor është Presidenti i Republikës, i cili do duhet të marrë të dhëna nga tre institucione të tjera”, sqaroi ai.
Më tej, Alibeaj vazhdoi se së pari, nga Shkolla e Magjistraturës, presidenti merr si të dhënë, vlerësimin pedagogjik, së dyti nga Ministria e Drejtësisë, merr të dhëna për vendet vakante dhe ku ndodhen ato në Gjykata. Së treti, nga organi KLD që, nuk duhet të bëjë gjë tjetër veçse në vendet vakante, bazuar në vlerësimin e Shkollës së Magjistraturës, të bëjë përzgjedhjet përkatëse për secilin kandidat si dhe Gjykatën ku do të vendoset.
Sipas ministrit, “ky proces ka përmbushur dy elemente”.
“Shkolla e Magjistraturës ka bërë vlerësimin përfundimtar të magjistratëve të sapo diplomuar në vitin akademik 2007-2008 dhe Ministri i Drejtësisë ka përcaktuar vendet vakante në gjithë sistemin gjyqësor në shkallë të parë”.
Sipas Alibeajt, KLD duhet të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve në vendet vakante, e cila nuk ka ndodhur në mbledhjen e fundit të tij.
“KLD nuk është shprehur përfundimisht sepse nuk ka bërë vlerësimin dhe përzgjedhjen konkrete për secilin magjistrat dhe Gjykatën ku duhet të shkojë. Vetëm kur të përmbushet kjo, quhet shprehje e KLD-së dhe më pas, çështja shkon para Tryezës së Presidentit për dekretimin përfundimtar”, sqaroi ministri i Drejtësisë.
Dy ditë më parë, 10 magjistratë të rinj në një komunikim me median, shprehën shqetësimin për pengimin e emërimit të tyre nëpër Gjykata si dhe vunë në dijeni përmes një letre, Presidentin e Republikës.
Në deklaratën e tyre bëhet e ditur se, në përputhje me dispozitën ligjore, 10 studentët e Shkollës së Magjistraturës me profil gjyqtar, u emëruan në datën 05.10.2007 për të kryer stazhin profesional në 5 gjykatat më të mëdha të shkallës së parë me propozim të KLD dhe dekretim të Presidentit, konkretisht: në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Korçë (nga 2 vetë). Në fund të vitit të tretë akademik (në korrik 2008), u bë vlerësimi edhe për stazhin profesional, prej nga doli renditja përfundimtare e 3 viteve së bashku për formimin e magjistratëve gjyqtarë.
Gjithashtu ata i bënë të ditur opinionit publik, se “në mbledhjen e datës 24.12.2008, KLD i rrëzoi vendet vakante për emërimin përfundimtar të studentëve të magjistraturës, të propozuar nga Ministri i Drejtësisë”, duke e cilësuar si absurd vendimin e KLD-së

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›