E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilbil Mema mund Ministrinë e Rendit

13/04/2005  Gjykata e Lartë, gjenerali të paguhet dhe të kthehet në detyrë

TIRANË – Ministria e Rendit nuk ka asnjë të drejtë tashmë të kundërshtojë rikthimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, gjeneral Bilbil Memën në detyrë. Me vendimin e saj të djeshëm, Gjykata e Lartë, përveçse rikthen Memën në detyrë, detyron Ministrinë e Rendit të paguaj dëmshpërblim për gjithë kohën e kaluar. Do të marrë rrogën mujore që i takon të paguhet një drejtor me gradën e gjeneralit me dy yje, që nga shtatori i vitit 2003, deri në momentin e sistemimit.

Rikthimi

Të drejtën për t’u rikthyer në detyrë, Bilbil Mema e fitoi edhe në dy shkallët e tjera të gjykimit. Ndërkohë dje këtë të drejtë ia dha pa asnjë lëkundje Gjykata e Lartë. Pikërisht ky ka qenë edhe muaji i fundit, kur Mema i dalë në dispozicion, duhej të ishte sistemuar nga Ministria e Rendit në punë. Por nuk ka ndodhur kështu.

Mbrojtja

Para Gjykatës së Lartë, gjeneral Bilbil Mema është përfaqësuar nga avokati i njohur, Artan Hajdari. Ashtu si është bërë edhe në dy shkallët e tjera të gjykimit, Hajdari ka parashtruar të gjitha pretendimet në favor të klientit të tij. Sipas avokatit, Bilbil Mema është liruar nga detyra me vendim të Qeverisë, me firmën e Kryeministrit në vitin 2002. Memës iu komunikua urdhri i lirimit dhe kalimi në dispozicion për një vit. Duke qenë me gradën gjeneral me dy yje, të marrë për merita në detyrë, drejtuesi i parë duhej të rikthehej në punë pas përfundimit të periudhës në dispozicion. Por, ministri i Rendit, Igli Toska, nuk e zbatoi ligjin, duke shpërfillur të drejtën e një gjenerali. Pasi mori përgjigjen negative për t’u rikthyer në detyrë, Mema iu drejtua gjykatës. Sipas avokatit, Bilbil Mema pas periudhës së dispozicionit kërkoi të kthehej, ndonëse jo në të njëjtin pozicion, por një gjë e tillë iu mohua. Për avokatin, vendimi i qeverisë nuk kishte motivacion. Duke qenë se vendimi ishte pa asnjë shkak, tre shkallët e gjykatës detyruan Ministrinë e Rendit të dëmshpërblejë Memën për kohën e papunësisë, madje, vendimi shkon më tej, i jep të drejtë të rikthehet në detyrë. Pothuajse të gjithë personat që padisin institucionet shtetërore për largim të padrejtë nga detyra, i kanë fituar çështjet. Rasti i Bilbil Memës mund të quhet i veçantë, për vetë faktin se është i pari gjeneral me dy yje të marra për merita në detyrë që "flaket" në rrugë dhe nuk i jepet e drejta për të punuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›