E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gaxhai", vetëm pesë minuta në gjykatë, rikthehet në Burrel

13/04/2005  TIRANË – Gazmend Braka ose i thirrur ndryshe "Gaxhai", qëndron në sallën e gjyqit vetëm pesë minuta. Njeriu që ka planifikuar disa herë arratisjen nga burgu, tashmë i ka mbetur të bëjë shëtitjen nga Burreli në Tiranë dhe anasjelltas. Gjykata është mjaftuar me hapjen e seancës gjyqësore dhe caktimin e një date tjetër për vazhdimin e procesit. Çdo të martë, i dënuari me burgim të përjetshëm, Gazmend Braka, do të paraqitet në gjykatë. Ndërsa janë avokatët ata që nuk e respektojnë orarin e caktuar, duke u bërë shkak për shtyrjen e procesit. Braka, ndërsa është dënuar për krimin e vrasjes me burgim të përjetshëm, vazhdon të gjykohet për disa vepra penale të kryera në vitin e trazirave 1997. Deri tani janë paraqitur disa dëshmitarë të akuzës. Vetë i pandehuri nuk reagon në sallën e gjyqit, ndërsa komunikon shumë pak me avokatin mbrojtës. Në seancën e djeshme mungonte avokati Fariz Xhurxhi. Drejtuesi i seancës u shpreh se do të kërkonte marrjen e masave nga Dhoma e Avokatisë për mosprezencën e vazhdueshme të tyre në gjyq. Në kurriz të Brakës rëndojnë disa vepra penale, që fillojnë nga krijimi i bandave kriminale, organizata kriminale dhe kryerja e krimeve në këto organizata. Disa prej dëshmitarëve që janë paraqitur në proces, kanë dhënë deklarime kontradiktore. Është hera e dytë që pyeten dhe para gjykatës shprehen se koha e gjatë bën të vetën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›