E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, burg pa afat të dyshuarit për vjedhjen e argjendarisë

13/04/2005  TIRANË – "Vjedhje me armë". Kjo është akuza me të cilën Gjykata e Krimeve të Rënda dërgoi në burg pa afat të pandehurin Adriatik Myftari. Të njëjtën kërkesë bëri edhe prokurori i çështjes, Adnand Xholi. Sipas Xholit, i pandehuri ka marrë pjesë në vjedhjen me armë të argjendarisë "Pirro" në vitin 2002. Ndërsa avokati Genc Gjokutaj i kërkoi gjykatës një afat për klientin e tij, duke dashur që organi i akuzës të sqarojë pozicionin në të cilën ndodhet. Sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka prova të qarta që të vërtetojnë se Adriatik Myftari ka qenë pjesëmarrës në grabitjen me dhunë të argjendari "Pirro" në vitin 2002. Kështu mbrojtja kërkoi të bëhej ekspertiza e gjurmëve të gishtave, që, sipas saj lë për të dëshiruar. Prokuroria ishte e prerë në kërkesën që bëri para Krimeve të Rënda. Për akuzën, Adriatik Myftari është i dyshuar kryesor për vjedhjen me armë të 28 kg flori në dyqanin me emrin "Pirro". Vjedhja është bërë duke përdorur armë dhe në bashkëpunim. Vetë i pandehuri nuk ka dhënë asnjë shpjegim para gjykatës. Vendimi i masës së arrestit me burg pa afat u dha nga kryetari i Krimeve të Rënda, Sandër Simoni. I pandehuri Adriatik Myftari, vjedhjen e argjendarisë dyshohet se e ka kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gjergj Cukali, Ledio Lito, Ilir Kodumi dhe Eduard Skuka. Myftari ishte vënë në "shënjestër" si pjesëmarrës në rrëmbimin e Demirlikës. Policia kishte kohë që bënte ndjekjen e të pandehurit, i cili fshihej në Tiranë. Ndërkohë pas hetimeve të para rezultoi se në momentin e rrëmbimit të Demirlikës, Myftari ka qenë jashtë shtetit. Kjo akuzë është hedhur poshtë për të, megjithëse prangave nuk arriti t'i shpëtojë. Gjurmët e gishtave kanë vënë në pranga Adriatik Myftarin, që në bëshkëpunim me të pandehurit e tjerë, arriti të grabisë argjendarinë më të njohur në Tiranë. Shuma e parave të fituara nga shitja e 28 kg flori kap vlerën e 400 mijë eurove. Pas dhënies së vendimit nga gjykata, i pandehuri u shoqërua në Komisariatin numër 2 Tiranë. Myftari do të transferohet në Burgun 302, në pritje të fillimit të gjykimit nga Krimet e Rënda.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›