Vuçeta, dëshmojnë policët që tentoi të vrasë
13/04/2005 TIRANË – Pesë policët e komisariatit të Shkodrës dëshmuan dje në procesin gjyqësor kundër të pandehurit Sokol Vuçeta. Që të gjithë policët e pyetur nga prokurori, pohuan se ditën e ngjarjes në 29 prill 2004 kishin marrë detyrë të ekzekutonin vendimin e gjykatës ndaj Sokol Vuçetës. I kërkuari i është përgjigjur me zjarr thirrjes së policisë, që vajtën në shtëpi për të ekzekutuar vendimin e gjykatës pas caktimit të masës së sigurimit burg pa afat. Është nga Shkodra, banues në katin e katërt të një pallati në lagjen "Skënderbej". Së bashku me vëllain e tij, Luigj Vuçeta në fillim të prillit të vitit të kaluar i mori një sasi të hollash shtetasit Nikolin Xhaferri. Për këtë vepër penale të parashikuar nga neni 109/1KP, Gjykata e Shkodrës caktoi për vëllezërit masën e arrestit burg pa afat në mungesë. Nga informacionet, policia zbuloi se Sokol Vuçeta ndodhej në banesën e tij. Kështu, në datën 29 prill, policët Astrit Ago, Eduard Rusta, Pjerin Lazi, Nik Çudi, Paulin Zhibani dhe Çesk Kaçi morën detyrën për të ndaluar të pandehurin. Dje, policët thanë se kanë arritur të shmangen menjëherë kur dëgjuan se nga brenda shtëpisë i kërkuari po mbushte armën. Vuçeta ka qëlluar në drejtim të policëve, duke lënë shenja edhe në derën e shtëpisë. Policët treguan në gjykatë se vetëm pas ndërhyrjes së disa komshinjve, Sokol Vuçeta pas disa orësh qëndrese arriti të dorëzohet. Për të pandehurin janë duke u zhvilluar dy procese njëkohësisht. Në Shkodër së bashku me vëllain, që është ende në kërkim, po gjykohet për veprën penale të gjobëvënies, ndërsa në Gjykatën e Krimeve të Rënda po gjykohet për veprën penale të vrasjes së kryer në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë. E vetmja kërkesë e avokatit që u pranua është kryerja e aktit të ekspertimit psikiatriko–ligjor.