Alibeaj akuzë dy prokurorëve të Shkodrës
TIRANE - Avokati i Popullit është bërë shkak që një i burgosur, i harruar në qeli pas përfundimit të dënimit, të lirohej nga izolimi. Në një njoftim për shtyp nga ky institucion, pohohet se rasti ishte zbuluar gjatë një kontrolli rutinë të komisionerëve të Avokatit të Popullit në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës, më datë 25 shtator. “Grupi i eksperteve të Avokatit të Popullit, gjatë takimit me të dënuarit, konstatoi se qytetari I.T., i dënuar me 10 muaj burgim nga gjykata, e kishte përfunduar afatin e dënimit. Komisioneri i Avokatit të Popullit kontaktoi menjëherë me drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, duke i kërkuar marrjen e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë ndaj këtij të dënuari”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni. Ndërkohë përsa i përket identifikimit të burgosurit që mbeti në qeli edhe pas përfundimit të dënimit, burime nga Avokati i Popullit pohojnë se ai ishte dënuar për një vepër penale të kryer në familje dhe nuk preferonte që identiteti i tij i plotë të bëhej publik. Ndërsa, pasi ishte njohur me shqetësimin e ngritur nga komisioneri i Avokatit të Popullit, kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës e ka marrë në konsideratë të menjëhershme problemin e ngritur dhe ka nxjerrë urdhrin e lirimit të të riut nga ky qytet. Në fund të njoftimit zyrtar, institucioni i Avokatit të Popullit pohon se falënderon me këtë rast Prokurorinë e Gjirokastrës, për frymën e bashkëpunimit në të mirë të vendosjes së drejtësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut në vend. Burime zyrtare të Avokatit të Popullit pohojnë se komisionerët e këtij institucioni herë pas here përfshihen në inspektime në burgje, dhoma paraburgimi dhe institucione të tjera penitenciare, ku kanë zbuluar shkelje të shumta përsa i përket mënyrës së trajtimit të të burgosurve. Pak muaj më parë, komisionerët e Avokatit të Popullit zbuluan në qytetin e Shkodrës mbajtjen pa të drejtë në qeli të një qytetari dy muaj e gjysmë pas përfundimit të dënimit të formë së prerë. Publikimi nga Avokati i Popullit të rastit të tij u bë shkak që të merreshin masa për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe lirimin e menjëhershëm nga qelia të këtij qytetari. fa.ma.