Zbulohet një teatër 15 mijë vendesh në Finiq
Një teatër antik 15 mijë vendesh, është zbuluar ditët e fundit në Finiq. Gjatë ekspeditës italo-shqiptare të gërmimeve në Parkun Arkeologjik të Finiqit, zbulimi i plotë i konturit të këtij teatri, hedh idenë se ai mund të cilësohet si më i madhi në Epir. Por bashkë me gërmimin e plotë të teatrit është zbuluar nga arkeologët edhe vendi i qëndrimit të orkestrës, në këtë teatër. Ekspedita e kryesuar nga profesor Sandro De Maria, pedagog në Universitetin e Bolonjës dhe drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Shpresa Gjongecaj, i kanë përqendruar gërmimet në akropolin antik të Finiqit dhe në pjesën e nekropolit, që gjendet poshtë rrugës kryesore që përshkon fshatin e sotëm të Finiqit. Por sipas as. prof. dr. Dhimitër Çondi, drejtues i punimeve në teatër, bën me dije për gazetën se, përballë imazhit të plotësuar të teatrit antik, me gërmimet e këtij sezoni ajo që shfaqet ka pamjen e teatrit. “Harku i kodrës që ngrihet mbi zonën e zbuluar përmban ndenjëse të teatrit, zbulimi i të cilave do t‘u takojë ekspeditave të viteve të ardhshme”, thotë ai. Si argument për këtë ai jep një prej shkallareve të gurta të zbuluara në një kënd të kodrës, e cila është kompozuar me gurë jo të zakonshëm, por të gdhendur. Por ndër zbulimet e tjera të kësaj ekspedite renditet edhe ai që quhet altari, ose vendi simbol i teatrit, që është një gur i rrumbullakët. Në trajtë cilindrike është edhe ai që ka shërbyer si bazament i skulpturave, ku arkeologët thanë se janë hasur gjurmët e një skulpture madhështore prej bronzi. “Gërmimet e kryera po këtë sezon në pjesën e Nekropolit të qytetit, nxorën në dritë klinenë e një varri aristokrat. Pjesa jugore e varrezës korrespondon me zonën e monumentalizuar të Nekropolit”, vijon Çondi. Kjo, sipas tij, ka qenë një konfirmim i asaj që prisnin dhe për shkak të pasurisë së gjetur në objekte, gjykohet se i përkasin shekullit të III-të. Për të plotësuar të gjitha këto të dhëna, është zbuluar edhe një banesë në afërsi të vendit që quhet Matomarë. “Gjetjet më të fundit në Finiq do të jenë objekt i tri kumtesave, që do të mbahen në mesin e tetorit në simpoziumin ndërkombëtar në Grenobël të Francës”, shton Çondi, ndërkohë Ricardo Villicichi, koordinator i shkollës së restaurimit dhe përgjegjës i gërmimeve në teatrin e Finiqit, i lidh zbulimet e sivjetme: pjesën e qëndrimit të orkestrës në skenë dhe shkallaret e reja, me faktin e njohur historik se Finiqi, jashtë çdo dyshimi, përfaqëson një kryeqendër të Kaonisë dhe kryeqytetin e gjithë Epirit. Pas tetë viteve ekspeditë në Finiq, sivjet kanë marrë pjesë në të profesorë dhe studentë shqiptarë e italianë nga Universiteti i Bolonjës. sh.d
Dita e Trashëgimisë, IMK ende pa drejtues
29 shtatori e njohur si Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, është kremtuar dje në vende të ndryshme të Shqipërisë. Në një konferencë shtypi të ministrit të Kulturës, Ylli Pango, me këtë MTKRS-ja në bashkëpunim me Këshillin e Evropës ka nxjerrë rreth 23.000 kartolina promovuese të 9 destinacioneve kulturore dhe turistike, të cilat janë shpërndarë në të gjithë vendin. Pango ka renditur dje gjatë kësaj konference të zhvilluar në orët e paradites, “arritjet” shqiptare në fushën e trashëgimisë, duke vënë theksin te trashëgimia nënujore, si potencial i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit kulturor, gjithashtu edhe në zbulimin dhe shpalljen në mbrojte të monumenteve të kulturës, që prej vitesh rrezikojnë shkatërrimin. Por në një ditë kur flitet për trashëgiminë kulturore, institucioni kryesor i monumenteve të kulturës, IMK-ja qëndron prej ditësh pa drejtues. Edhe dje ministri Pango ka vendosur të heshtë rreth largimit të ish-drejtorit Lorenc Bejko, nga kreu i IMK-së, duke mos pranuar as të pyetet. Ndërkohë drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë në MTKRS, Olsi Lafe, thotë se IMK-ja drejtohet aktualisht nga nëndrejtori Besim Lila. “Drejtuesi duhet të ketë minimalisht disa kritere dhe kapacitete, pasi për çdo institucion drejtori është koka dhe jo për IMK-në që është institucion i rëndësishëm shkencor dhe që përgatit projekte. Nuk mbahen asnjëherë njerëz rezervë në pozicione drejtorësh në institucione të tilla. Kështu që besoj ministri, në një moment të caktuar në zgjedhjen e kandidaturës dhe vendosjen e saj do ta deklarojë”, shton ai.