E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vrasja në kazino, oficeri në qeli me personat që arrestoi”

 

Fatos Mahmutaj

Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “burg pa afat” për efektivin e RENEA-s, Kastriot Stojani, i akuzuar për vrasjen e 45-vjeçarit Muharrem Lita, në mjediset e një kazinoje pranë stacionit të trenit në Tiranë.Para gjyqtares së gatshme, i pandehuri nuk preferoi të jepte shpjegime, duke pretenduar se kishte përjetuar ngarkesë mendore, ndërsa mbrojtësi i tij kërkoi një masë më të lehtë sigurie nga ajo “arrest në burg” që kërkoi Prokuroria. Sipas avokatit, veç rrethanave të ngjarjes, të cilat do të sqarohen gjatë hetimit, një arsye për të mos lënë në qeli ish-policin special është personaliteti i tij. Kjo për faktin se mendohet që ai do ndajë të njëjtën qeli me persona që ka arrestuar vetë gjatë detyrës në repartet e forcave speciale. Prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake pohoi se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e katër ditëve më parë në mjediset e kazinosë, kur u qëllua me tre plumba pistolete në ballë e zemër dhe gjeti vdekjen 45-vjeçari Muharrem Lita, ish-polic special, me origjinë nga Dibra dhe banues në Bathore, Tiranë.
Ngjarja
Sipas prokurorit, zanafillë për ngjarjen e rëndë që përfundoi me vrasje, ishte një grindje midis viktimës dhe pronarit të kazinosë, për shkak të lojës së bixhozit në kompjuterin elektronik. Në grindje e sipër viktima ka fyer dhe kërcënuar pronarin e lokalit të bixhozit, ndërkohë ka goditur kompjuterët. Në këtë moment janë njoftuar polici special Stojani, i cili punonte si bodigard në kazino, që ka mbërritur me të shpejtë me dy kolegë të tij dhe ka tentuar të nxjerrë jashtë viktimën. Por pasi ka hasur kundërshtinë e tij, është përleshur me të, duke qëlluar njëri-tjetrin. Në këtë moment polici special Stojani ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ish-kolegun e vet me tre plumba, dy në gjoks dhe një në ballë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Akuza
Por edhe vetë autori, i cili e ka pranuar krimin që në momentin e parë të përballjes me hetimin, ka marrë disa plagë, për të cilat është dërguar në Spitalin Ushtarak për të marrë mjekime. Më pas hetuesit e mbërritur në vendngjarje kanë mbledhur provat, në bazë të të cilave ka rezultuar se tre plumbat që kanë goditur viktimën Lita janë qëlluar nga arma e punës së policit special Stojani. Po kështu edhe dëshmitarët okularë të vendngjarjes kanë dhënë të njëjtin shpjegim, çka përputhet me deklarimet e policit dhe ekspertizën kriminalistike të vendngjarjes. Po kështu, polici i arrestuar ka pretenduar para gjykatës se ka marrë disa plagë në kokë, të cilat i kanë shkaktuar probleme dhe nuk ishte në gjendje të jepte shpjegime para gjykatës. Ndërkohë dje pas vendosjes së masës së sigurisë, mbrojtësi i policit special pohoi se do e apelonte vendimin e gjykatës, ndërkohë që do të përdorte si argument për këtë edhe lehtësimin e akuzës pas hetimeve më të hollësishëm të ngjarjes si dhe pyetjes së dëshmitarëve okularë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›