Plagosja e oficerit të FNSH-së, pas ndërhyrjes në sherrin me të dashurën
TIRANE - Policia ka zbardhur plagosjen e efektivit të forcave speciale të repartit 712 në kryeqytet, Artan Metuku. Shkak për ngjarjen, sipas burimeve zyrtare, është bërë ndërhyrja e oficerit Metuku dhe një kolegu tjetër të tij, gjatë grindjes së Elvis Belbës me të dashurën e tij. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Panorama” nga burime të policisë së kryeqytetit. Sipas tyre, ngjarja ka lindur pas një debati mes dy efektivëve të FNSH-së, kur Elvis Belba po grindej me të dashurën e tij përpara një lokali. Praninë e një personi të dytë të punësuar pranë repartit të FNSH-së 712, në kryeqytet e ka pranuar edhe vëllai i Ardian Bregasit, një prej të dyshuarve si bashkëpunëtor në krimin e plagosjes ndaj Metukut. Arben Bregasi ka pranuar se vëllai i tij ka pasur një konflikt paraditen e të dielës me një polic të forcave speciale. “Unë kam qenë në punë kur më kanë marrë njerëzit e shtëpisë në telefon dhe më thanë se kishte ndodhur një konflikt në lagje dhe se në konflikt ishte përfshirë edhe vëllai im, Ardiani”, tha ai. Më tej ai tregon se pasi ka mbërritur në banesë, ka marrë vesh që një punonjës policie ishte plagosur nga i vëllai i tij si dhe Elvis Belba. Ndërkaq, policia ka ndaluar mbrëmjen e të dielës në një banesë rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes Elvis Belbën. Ky i fundit ishte fshehur në këtë banesë, ndërsa kishte fshehur edhe armën e krimit. Sipas hetuesve, vetë Belba gjatë marrjes së tij në pyetje, ka deklaruar se ai ka qenë duke debatuar me një person të forcave speciale. Sipas Belbës, efektivi blu e kishte fyer atë dhe kishte ndërhyrë në marrëdhënien e tij me të dashurën. Policia nuk ka bërë të ditur saktësisht nëse efektivi i dytë ka qenë përfshirë në përplasjen e mes tyre. Por një fakt i tillë është pohuar nga Arben Bregasi, vëllai i Ardian Bregasit, personit tjetër të dyshuar si të përfshirë në plagosjen e policit Artan Metuku. Ai ka pohuar se konflikti është ndezur pikërisht nga efektivi i dytë, ndërsa i plagosuri ka qenë rastësisht objekt i krimit. Këto të dhëna, Bregasi pohon t’i ketë mësuar nga njerëz që kanë parë ngjarjen, apo gjatë kohës që ai vetë është pyetur dhe ka qëndruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit. d.b