E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokaina nga Argjentina, zbulohet transferta e pagesës

 

TIRANE – Eglant Muka dhe Eduart Smajli, dy personat që pritën pakon me 560 gramë kokainë të postuar nga Argjentina pesë ditë më parë, do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve. Gjykata për Krimet e Rënda dha dje ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”. Vendimi për lënien e tyre në qeli u firmos nga gjyqtari i gatshëm i kësaj gjykate, ndërsa dy të  pandehurit Muka, 39 vjeç dhe Smajli, 41 vjeç, nuk kanë preferuar të japin shpjegime para trupit gjykues. Mësohet se edhe pse avokatët kanë kërkuar një masë më të lehtë për ta, trupi gjykues ka pranuar kërkesën e bërë nga pala e akuzës. Ndërkohë që ndaj tyre u mor masa e sigurisë, burime policore bëjnë të ditur se besohet se është rënë në “gjurmët” e tregtisë së kokainës së bërë prej tyre. Sipas burimeve, ditët e fundit është zbuluar një transfertë monetare drejt Amerikës Latine, që mendohet të jetë kryer për blerjen e sasisë së lëndës narkotike që mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” më 25 shtator të këtij viti. Transferta është kryer rreth dy javë më parë dhe për të është përdorur një numër llogarie, që nuk i përket asnjërit prej të pandehurve. Nuk bëhet e ditur shifra e saktë e transferuar, por pohohet se ajo kalon shumën e 15 mijë eurove. Ndërsa destinacioni ku kanë mbërritur paratë është Kolumbia ose Argjentina. Ndërkohë burimet bënë të ditur se janë duke kryer verifikimet e nevojshme për të vërtetuar nëse transferta në fjalë është kryer për të paguar “dhuratën” që u erdhi dy personave të arrestuar. Eglant Muka, banues në Tiranë dhe nënshtetas amerikan dhe Eduart Smajli, nga Durrësi, u arrestuan nga operacioni policor i koduar “Hasta la vista”. Sipas policisë, ata ishin porositësit e një pakoje postare që vinte nga kryeqyteti i Argjentinës, Buenos Aires, në të cilën ndodheshin 500 gramë kokainë e pastër. Pasi ka zbuluar përmbajtjen e pakos, policia ka identifikuar pritësit e saj. Në vijim prej policisë dhe prokurorisë është bërë një “dorëzim i kontrolluar”, ku janë prangosur Muka dhe Smajli.               ar.ba.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›