Në Beograd s’pati Shkëndijë

Shkëndija nuk ka mundur t’i bëjë ballë Partizanit të mërkurën mbrëma. Skuadra shqiptare është mposhtur në Beograd nga kampioni serb me rezultat të thellë, 4:0 – në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Bardhezinjtë kanë dominuar gjatë gjithë ndeshjes në duel me kuqezinjtë, të cilët nuk e krijuan asnjë shans të mirë, përveç një penaltie të cilën e humbi në minutën e 12-të Ferhan Hasani, gjuajtjen e të cilit e ndali portieri Vladimir Stojkoviç.
Ndërkohë, serbët nuk ia dolën të shënojnë gol gjatë pjesës së parë, përkundër faktit se i patën katër-pesë shanse të mira, disa prej të cilave i ndali portieri shqiptar, Suad Zendeli.
Ndërsa, me të filluar pjesa e dytë, serbët ia dolën të kalojnë në avantazh prej 1:0. Realizues i këtij goli në minutën e 48-të ishte Zvonimir Vukiç. Nëntë minuta prej këtij goli, vendasit ia dolën ta dyfishojnë epërsinë nëpërmjet Eduardos.
Beogradasit nuk u ndalën me kaq. Në minutën e 74-t ata shënuan sërish nëpërmjet Marko Sçepoviçit, të cilin nuk ia dolën ta ndalin mbrojtësit tetovarë. Ky gol i pësuar sikur i tronditi kuqezinjtë, të cilët pas dy minutash pësuan sërish. Në fakt, Sedat Berisha shënoi autogol, dhe kështu ndeshja u përmbyll me rezultat të thellë 4:0.
Ndeshja e kthimit mes këtyre dy ekipeve do të zhvillohet pas një jave në Shkup, por vetëm mrekullia do ta shpëtonte kampionin e Maqedonisë pa u eliminuar nga kjo garë.
Hiq më mirë nuk u nda as kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, në duel me APOEL Nicosia. Ky i fundit e mposhti ekipin shqiptar në Korçë me rezultat 0:2. Golin e parë shqiptarët e pësuan në minutën e 52-të, kur APOL Nicosia shënoi nëpërmjet Morais. Ndërsa, golin e dytë për mysafirët e realizoi në minutën e 56-të, Manduca.
Kështu, Skënderbeu i ka zvogëluar shumë gjasat për ta kaluar këtë rreth të garave, pasi ndeshjen e kthimit ndaj APOEL’it do ta zhvillojë si mysafirë.
Shënojnë Ibraimi, Sadik e Rexhepi
Sulmuesi shqiptar, Agim Ibraimi ka realizuar gol për ekipin slloven Maribor, i cili në shtëpi e mposhti ekipin nga Luksemburgu, Dudelange, me rezultat 2:0 - në kuadër të rrethit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve. Golin e dytë për sllovenët e ka realizuar tetovari në minutën e 45-të. Me këtë fitore, ekipi slloven është një hap larg kualifikimit në rrethin e tretë.
Kurse, HJK Helsinki ka shënuar fitore si mysafir i Bangor Cityt me rezultat 0:3. Më meritori në këtë fitore të ekipit finlandez ishte Berat Sadik, i cili i realizoi dy gola. Sulmuesi shqiptar golin e parë e shënoi në minutën e 14-të, ndërsa të dytin e realizoi në minutën e 55-të.
Edhe Malmo, ku luajnë dy sulmuesit kosovarë, Agon Mehmeti e Dardan Rexhepi, ka shënuar fitore ndaj HB Torshavn me rezultat 2:0. Golin e parë për skuadrën suedeze e ka shënuar Rexhepi në minutën e 58-të.