E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kili e Uruguai, në çerekfinale

Kili dhe Uruguai janë dy skuadrat tjera që janë kualifikuar në çerekfinale të Copa Americas. Kilianët ishin më të mirë se Peru, të cilës i kushtoi me eliminim autogoli i Diaz në fund të ndeshjes. Kurse, uruguaianët e shfrytëzuan këtë dhe iu falënderuan golit të Pereiras, duke ecur përpara pas fitores minimale ndaj Meksikës. Nga Express më 13 korrik 2011 në ora 14:13

Kili dhe Uruguai janë dy skuadrat tjera që e kanë siguruar kualifikimin në çerekfinale të Copa Americas. Këtyre dy skuadrave u mjaftoi fitorja minimale me rezultat identik 1:0 përballë Perusë, respektivisht Meksikës, për ta mbyllur fazën e grupeve në pozitën e parë dhe të dytë.

Kilianët e mbyllën fazën e grupeve pa pësuar asnjë humbje, me një fitore e dy barazime. Një autogol i Diaz në minutën e fundit i kushtoi me eliminim Perusë, në një ndeshje dramatike dhe të ashpër me Kilin.

Gjatë ndeshjes, më saktësisht në pjesën e dytë, nga loja ishin përjashtuar Beausejour (Kili) e Carmona (Peru), për shkak të një përleshjeje në mes vete. Humbjen e Perusë e shfrytëzoi si është më së miri Uruguai, i cili falë golit të Alvaro Pereiras, e mposhti Meksikën, për të ecur tutje.

Meksikanët, të cilët në këtë eveniment ishin mysafirë në vend të Japonisë, e pësuan humbjen e tretë dhe u kthyen në shtëpi. Duhet cekur se ata luajtën me përbërjen e dytë në Copa America.

Në çerekfinale, Uruguai do të përballet me Argjentinën. Selektori uruguaian Oscar Tabarez qysh tash po mendon për këtë duel. Argjentinën ai e konsideron si kundërshtar mjaft të vështirë. “Asgjë nuk është e shkruar para ndeshjeve, por është një kundërshtar i vështirë, do të duhej të përballeshim me të herët ose vonë”, tha Tabarez pas ndeshjes.

64 vjeçari shpreson që ekipi i tij të ecën përpara, njëjtë siç bëri në Botërorin 2010, kur arriti deri në gjysmëfinale. Njëherësh, Argjentina dhe Uruguai janë dy skuadrat më të suksesshme në Copa America.

Grupi C
Kili – Peru1:0
Uruguai – Meksika1:0

Tabela
1. Kili7 pikë
2. Uruguai5
3. Peru4
4. Meksika0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›