E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Bujanovc dhe Preshevë, përsëri flamuj të Shqipërisë

Në ndërtesat e komunave të Bujanovcit dhe të Preshevës, me popullsi kryesisht shqiptare, më 28 Nëntor, përsëri, krahas flamurit të Serbisë, u valëvit edhe flamuri i Republikës së Shqipërisë dhe këta flamuj i vendosën përfaqësuesit e udhëheqjes së këtyre komunave, vë në dukje sot e revoltuar media serbe. Gazeta e përditshme serbe "Kurir" u referohet fjalëve të kryetarit të Kuvendit të Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu, njëherazi kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, partia e dytë shqiptare për nga madhësia në këtë qytet, se dje u shënua festa kombëtare e të gjithë shqiptarëve, Dita e Flamurit, që festohet kudo ku jetojnë shqiptarët. "Flamurin shqiptar në ndërtesën e komunës e vendosëm së bashku me kryetarin e komunës, Shaip Kamberi. Mbas kësaj, u organizua një veprimtari në Shtëpinë e Kulturës në Bujanovc, ku morën pjesë të gjithë anëtarët shqiptarë të organeve të komunës e qytetarë të Bujanovcit dhe gjithçka kaloi pa asnjë incident", citon gazeta e lartpërmendur serbe fjalët e z. Musliu. Ky është viti i tretë me radhë që në ndërtesën e Komunës së Bujanovcit, krahas flamurit të Serbisë, ngrihet edhe flamuri shqiptar, ndërkohë që në Preshevë kjo ndodh prej shumë vitesh", shkruan gazeta "Kurir", sipas së cilës gjatë viteve të kaluara ka pasur shumë incidente gjatë përpjekjeve të banorëve shqiptarë të këtyre komunave për të ngritur flamurin e Republikës së Shqipërisë në ndërtesat e institucioneve shtetërore. Sidoqoftë, dje në rrugët e Bujanovcit dhe të Preshevës ishte qetë, ndërkohë që konstatohej një numër më i madh se zakonisht të policëve para ndërtesave të dy komunave të lartpërmendura.

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›