E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pranga për korrupsion kryekomunarit në Lezhë



LEZHE - Arrestohet për korrupsion kryetari i komunës Kolsh në Lezhë. Andi Marku, 35 vjeç u prangos në zyrën e tij pasi i kishte marrë një banori shumën prej 1 milion lekë. Shtetasi A.K. kishte sinjalizuar policinë, pasi ai nuk kishte mundësi të paguante shumën që i kërkonte kryekomunari, në këmbim të një lejeje ndërtimi. “Arrestimi i Andi Markut u bë për arsye se i ka kërkuar dhe i ka marrë një banori të Komunës Kolsh, një shumë prej 1 milion lekë në këmbim të dhënies së një leje ndërtimi të rrethimit të pronës së tij”, bëri të ditur Policia e Lezhës. Marku u akuzua për veprën penale “Korrupsion Pasiv i Funksionarëve të Lartë Shtetërore ose të Zgjedhurve Vendorë”. Kryekomunari u arrestua dje në orën 11:30 në zyrën e tij. Sipas burimeve, Andi Marku kishte të paktën tre vite që sorollaste A.K., banor në fshatin Manati. Dje në orën 11:00, Marku kishte lënë për të marrë shumën prej 1 milionë lekësh, të cilat denoncuesit ia kishte siguruar prokuroria. Pasi kanë regjistruar numrat e serive të parave, A.K. i ka marrë ato dhe është drejtuar në komunë duke ia dorëzuar Andi Markut. Prokuroria ndërkaq kishte regjistruar edhe bisedat e realizuara gjatë këtyre ditëve ndërmjet palëve. Pasi denoncuesi dorëzoi paratë dhe u largua nga komuna, policia ndërhyri duke nxjerrë fillimisht jashtë të gjithë punonjësit e saj. Më pas, në zyrën e kryekomunarit u krye një kontroll, ku u bllokuan paratë e korrupsionit dhe njëherazi u vu në pranga Marku. Para se të vinte në krye të Komunës Kolsh, si kandidat i pavarur, ai ka qenë shef rendi në Policinë e Lezhës. Ai fitoi përballë kandidaturave të tjera për këtë komunë, duke marrë 57 për qind të votave. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›