E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Deçan, kërkohet lirimi i Haradinajt

Me moton “Nderi, Krenaria, Dinjiteti” dhe me fotografi të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, zyrtarët komunalë dhe punëtorët e administratës në Deçan, kanë defiluar rrugëve të qytetit duke shprehur pakënaqësinë dhe indinjatën lidhur me vendimin e Gjykatës së Hagës për rigjykimin e Haradinajt.

Protestuesit, të veshur në të bardha, fillimisht kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurora lulesh tek varrezat e dëshmorëve.

Përmes një marshi të qetë, protestuesit kanë kërkuar lirimin e Haradinajt.

“Ne besojmë në pafajësinë e liderit dhe ish- kryeministrit të Kosovës, sepse ajo ishte dëshmuar me prova dhe fakte nga Haradinaj, i cili me vendim unanim të kësaj gjykate ishte liruar”, ka thënë kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, transmeton KosovaPress.

Megjithatë, kryetari Selmanaj, është shprehur se “beson në drejtësinë ndërkombëtare, sikurse beson thellë edhe në pafajësinë e Haradinajt, ndërkohë pret lirimin e tij të shpejtë.

Organizatoret paralajmërojnë se manifestime të tilla, me kërkesë për lirimin sa më të shpejtë të ish-kryeministrit të Kosovës dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, do të mbahen edhe në ditët në vijim, në Deçan dhe anembanë Kosovës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›