E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Skenderaj e mbështet pilotin Berisha

Piloti shqiptaro-amerikan, James Berisha, ka vizituar sot Kompleksin Memorial në Prekaz dhe familjen Jashari, si dhe është takuar edhe me udhëheqjen komunale të Skenderajt.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e institucioneve komunale të Skenderajt, Berisha ka marrë mbështetje për misionin e tij të lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Berisha është shprehur se e njeh gjendjen ekonomike të popullit të Kosovës dhe ka thënë se atij nuk i duhet mbështetje materiale nga populli, por nga institucionet dhe bizneset.

"Unë kam hasur në përkrahje morale nga populli i Drenicës dhe tërë Kosovës, mirëpo janë institucionet shtetërore ato që duhet të tregojnë përkrahje në misionin tim, sepse shteti është i të gjithëve", tha Berisha.

Kurse nënkryetari i komunës, Fadil Nura, është shprehur se komuna e Skenderajt do të bëjë çka mundet që ta përkrahë misionin e Berishës, ndërsa ka ftuar bizneset që të kontribuojnë edhe ato për këtë qëllim. "Misioni i Berishës është mision i shenjtë dhe si i tillë do të këtë mbështetje të fuqishme nga ana e komunës sonë. Me këtë rast ftoj edhe bizneset e mesme dhe të mëdha të komunës që edhe ato të bëhen pjesë e kësaj mbështetjeje", tha Nura.

James Berisha, i cili ka diplomuar në Akademinë e Flotës Ajrore "Vera Beach" në Florida, deri më tani me avionin e tij ka fluturuar në 34 shtete të botës, duke lobuar në mënyrën e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›