Politika feston e ndarë “28 Nëntorin”, krerët e shtetit homazhe te “Nënë Shqipëri”
Edhe këtë vit, politika shqiptare ka festuar e ndarë “28 Nëntorin”. Përfaqësuesit e së djathtës kanë bërë homaxhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri” dhe kanë festuar së bashku edhe festën e Pavarësisë dhe atë të Çlirimit të vendit. Ndërsa përfaqësuesit e partive të majta nuk kanë marrë pjesë në asnjë ceremoni festive në vend. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka preferuar që ditën e Pavarësisë ta kalojë në Prishtinë. Gjatë ditës së djeshme, presidenti Topi, kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë vendosur kurora me lule dhe kanë bërë homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri”, në Varrezat e Dëshmorëve. Pas homazheve, kryeministri Berisha u shpreh: “Para së gjithash, ditëlindja e kombit është dita e mirënjohjes së pakufishme, e përuljes me nderimin më të thellë ndaj atyre që vendosën jetën e tyre në themelet e lirisë dhe të pavarësisë që ne gëzojmë”. Berisha e cilësoi 28 Nëntorin si ditën e krenarisë së madhe kombëtare, duke theksuar: “Pa këtë ditë, kombi dhe qytetarët e tij nuk do të mund të ngrinin kokën lart, ndaj kjo është një ditë e vizionit të madh, sepse një komb i lirë, siç është kombi shqiptar, i ka të gjitha shanset dhe mundësitë që të ndërtojë të ardhmen që meriton”. Kryeministri theksoi: “Ne e festojmë këtë ditë të pavarësisë dhe të çlirimit më mirë se kurrë, në tërë ekzistencën tonë, sepse ne festojmë këtë ditë me Kosovën e pavarur dhe në prag të zhvillimeve të mëdha historike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pra, ne festojmë dhe kremtojmë më të lirë se kurrë në të gjithë historinë tonë”. Më pas, kryeministri Berisha vizitoi shtëpinë e Dëshmorit të Demokracisë, Azem Hajdari. Edhe presidenti Bamir Topi ka uruar shqiptarët për festën kombëtare. “Është një ditë e shënuar Festa jonë Kombëtare. Është një ditë ku në radhë të parë duhet të kuptojmë që Shqipëria është sot në këtë ditë të shënuar në sajë të punës së disa gjeneratave, por në radhë të parë të atyre që arritën të pavarësojnë Shqipërinë. Ka dy situata shumë të ndryshme, në atë kohë Shqipëria luftonte për të mos u disintegruar, ndërsa sot Shqipëria është në integrim. Pra, janë dy ngjarje, të cilat vërtet janë në distancë, por janë shumë sinjifikative për Shqipërinë. Dhe me këtë rast, dëshiroj të uroj të gjithë shqiptarët për festën e tyre kudo ku ata jetojnë”, - është shprehur Topi.
Personalitete botërore urojnë Presidentin Topi për Festën e Pavarësisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë mesazhe urimi nga personalitete të larta botërore me rastin e 28 Nëntorit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, në letrën drejtuar kreut të shtetit shqiptar, ndërsa ka uruar Festën e Pavarësisë, është shprehur se pavarësisht sfidave globale me të cilat po përballen Kombet e Bashkuara, vetëm nëpërmjet bashkëpunimit arrihet progresi. Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Hërst Këler, ndër të tjera në letrën e tij ka theksuar besimin që Shqipëria do të bëhet së shpejti anëtare me të drejta të plota në NATO. Ndërsa Presidenti i Federatës Ruse, Dmitri Medvedev, ka shprehur bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë, të mbështetura në traditat historike, do të zhvillohen edhe më tej për të mirën e popujve tanë dhe do të ndihmojnë forcimin e paqes dhe stabilitetin në kontinentin europian. Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, ka shprehur edhe një herë kënaqësinë e vizitës që Presidenti Topi zhvilloi dy ditë më parë në Turqi ndërsa theksoi bindjen e plotë për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Mesazhe urimi me rastin e Festës së Pavarësisë, Ditës së Flamurit, kanë dërguar dhe Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Xhintao, Presidenti i Republikës së Polonisë, Leh Kazinski, Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Georgi Parvanov. Gjithashtu letër urimi ka dërguar dhe Madhëria e Saj, Mbretëresha Elisabet II, Perandori i Japonisë Ahihito si dhe shumë krerë shtetesh.
29 Nentor 2008