E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Prishtinë: “E ardhmja e Kosovës, vetëm në Bashkimin Europian”

Kreu i PS-së, takime me krerët e lartë të shtetit kosovar. Rama: “Ndihem i privilegjuar që e festoj ditën e Pavarësisë në Kosovën e pavarur”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zgjedhur Kosovën për të festuar 96-vjetorin e ngritjes së flamurit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kreu i PS-së ka zgjedhur Prishtinën për të festuar për herë të parë Ditën e Pavarësisë të Shqipërisë në Kosovën e pavarur. Rama ka qenë i shoqëruar në këtë vizitë nga anëtarët e Kryesisë së Partisë Socialiste, Pandeli Majko dhe Shpëtim Idrizi. Gjatë vizitës së djeshme në Kosovë, Rama ka marrë pjesë në disa ceremoni festive, ndërkohë që ai ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit të ri të Kosovës.

Takimi me Jakupin

Takimin e parë kreu i PS-së Edi Rama e ka zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Pasi këmbyen urimet për 28 Nëntorin, Krasniqi e Rama biseduan për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, sidomos për sa i përket kontekstit ndërkombëtar që i parapriu vendimit për shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës. Krasniqi dhe Rama folën edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka garantuar kryeparlamentarin Krasniqi për mbështetjen e të gjitha institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike të Shqipërisë, për ecjen e mbarë të Kosovës në rrugën e zhvillimit edhe të afirmimit pozitiv ndërkombëtar.
Kryeparlamentari Krasniqi, i ka dhuruar z. Rama një kopje të Deklaratës së Pavarësisë, në sfond të së cilës spikat figura grafike e Adem Jasharit. Pas takimeve me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, Rama është takuar gjithashtu edhe me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Në këto takime Rama mbështeti liderët e Kosovës për reagimin kundër planit gjashtëpikësh dhe tha se shqiptarë janë një, teksa skenari i tyre i vetëm është Bashkimi Europian.

Takimi me Thaçin
Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, kreu i PS-së, Edi Rama, tha se u ndje i privilegjuar që është i pari lider opozitar që kryen një vizitë të tillë në një ditë kaq simbolike për të gjithë shqiptarët, në Kosovën e pavarur.
"Për hir të së vërtetës unë ndihem i privilegjuar që më jepet mundësia të vij si kryetari i opozitës në Kosovën e pavarur, në ditën e flamurit të të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, dhe t'ia uroj këtë edhe kryeministrit tuaj. Përtej të gjitha përpjekjeve dhe përplasjeve edhe të natyrshme në fazën e njohjes dhe e konsolidimit të prezencës ndërkombëtare të Kosovës së re demokratike, ka një Kosovë reale, një Kosovë konkrete, të përditshme, që evoluon në drejtimin e duhur. Rikujtoj se Kosova nuk u pavarësua për t'u ndarë, por për t'u bashkuar për në familjen europiane, ku aspirojmë të jemi së bashku, të gjithë ne, shqiptarë e shqiptare, që jetojmë në territorin shqiptar", - tha Rama. Pas takimeve të zhvilluara me krerët e shtetit kosovar, Rama është nisur për një vizitë në Prekaz, pikërisht te shtëpia e Adem Jasharit, pasi 28 Nëntori është dhe ditëlindja e heroit kosovar.

29 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›