Miliona euro abuzime me gërmimet false të “Rrëshen-Kalimash”
Të dhënat zyrtare të ministrisë nuk korrespondojnë me punën në terren. Shtimi i volumeve shumëzon automatikisht koston e tyre në mënyrë fiktive
Habjon Hasani
Tiranë - Shifrat zyrtare të gërmimeve dhe mbushjeve të dheut të publikuara nga Ministria e Transporteve për aksin Rrëshen-Kalimash janë fiktive dhe të pavërteta, ndërsa përllogaritjet për dëmin financiar që shkaktojnë këto deklarime janë kolosale. Nisur nga debati më i fundit në Kuvend për punimet në këtë aks, “Albania” mori të dhënat mbi sasinë e gërmimeve të shpallura publikisht nga ministria duke i konsultuar ato me njërën prej studiove inxhinierike në Tiranë për të bërë zbërthimin analitik të këtyre shifrave (të gërmimeve) duke iu referuar parametrave dhe karakteristikave zyrtare të kësaj rruge. Përllogaritja e studimit është bërë në dy variante. Në njërin rast është parë rezultati vetëm duke përllogaritur në bazë të volumit të gërmimeve, ndërsa në rastin tjetër janë përllogaritur sasitë e deklaruara të gërmimeve dhe mbushjeve së bashku. Në të dy rastet, rezultatet kanë qenë spektakolare. Sipas këtyre të dhënave të zbërthyera i bie që me të dhënat e ministrisë (për gërmime + mbushje dheu) të jetë gërmuar në të gjithë gjatësinë e rrugës 37.3 m në thellësi. Pra, i bie që përgjatë gjithë aksit Rrëshen-Kalimash të jetë gërmuar në thellësinë e 15-katëshit të Tiranës! Një rezultat i habitshëm ky dhe që rezulton shumë larg realitetit të punimeve në terren. Por edhe në rastin e dytë kur nuk janë llogaritur mbushjet(por vetëm gërmimet) rezulton se është gërmuar përgjatë gjithë aksit Rrëshen-Kalimash në thellësi rreth 27 metër! Sërish një rezultat i pamundur, sipas inxhinierëve të ndërtimit.
Konvertimi në euro
Ky raport i zhdrejtë mes volumeve të deklaruara dhe atyre faktike ka një çmim dhe ka shkaktuar një dëm të caktuar. Për përllogaritjen e këtij dëmi përdoret si parametër çmimi i gërmimit për metër kub (pa llogaritur se firma ndërtuese Bechtel-Enka operon me çmime disafish më të larta) si dhe komponentë të tjerë teknikë që i japin një kosto këtyre zërave të gërmimeve. Duke qenë se përllogaritja e bërë nga studioja ka përdorur parametra minimalë (për të qenë e sigurt) gjatë llogaritjeve të gërmimeve, me çmimin mesatar të tregut për gërmimet, rezultoi se minimalisht është shkaktuar një dëm prej 120 milionë eurosh. Nëse i referohesh faktit se konsorciumi Bechtel-Enka operon me çmime më të larta se ato të tregut, atëherë është e qartë se qindra miliona euro kanë shkuar dëm, pra janë abuzuar.
Prokuroria
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Transporteve për volumet e gërmimit janë bërë publike në nëntor 2008. Tashmë këto të dhëna janë hequr nga faqja elektronike e ministrisë. Megjithatë, sipas vetëdeklarimit të ministrisë, këto sasi përfaqësonin rreth 90 për qind të gërmimeve që janë parashikuar në total. Nga ana tjetër, Prokuroria shumë shpejt pritet të çojë dosjen me abuzimet në gjykatë ndërsa prokuroria nuk ka bërë analizë lidhur me volumet e punimeve deri në nëntor të këtij viti. Rrjedhimisht, këto deklarime fiktive që kanë kosto kolosale nuk janë përfshirë si dëm në raportin e prokurorëve. Kjo ka ndodhur pasi Prokuroria i është referuar analizës së KLSH-së të gjashtë muajve më parë ndërsa gërmimet kanë vazhduar edhe gjatë periudhës së hetimit. Në fakt ka qenë pikërisht kontrata e iniciuar dhe e firmosur nga ish-ministri Basha ajo që i jep konsorciumit ndërtues të drejtën për të deklaruar sasitë e volumeve fiktive dhe për të përdorur çmime sipas interesit të saj. Kjo kontratë nuk parashikonte një projekt për ndërtimin(pra volumet janë të pafiksuara, në dorë të deklarimeve të firmës) si dhe nuk kishte limite ligjore për çmimet me të cilat do të operonte kjo firmë.
TË DHËNAT ZYRTARE
Gërmimet e deklaruara nga ministria në nëntor 2008:
Deri tani (nëntor 2008) janë gërmuar 27 milionë e 362 mijë e 639 metër kub material përgjatë projektit ose 90 për qind
Janë përdorur 10 milionë e 433 mijë e 016 milionë metër kub material mbushës
Janë vendosur 167.915 metra kub struktura betoni
KLSH: Kontrata imponon deklarimet fiktive
“Nga krahasimi i 22 zërave të punimeve, që kanë ngjashmëri të plotë me zërat e aplikuar nga Drejtoria e Rrugëve në segmentin pasues Kalimash-Kukës-Morinë, në vitin 2006, “çmimet e ofruara nga kontraktori janë më të larta se ato të miratuara nga DPRR për vitin 2006 dhe variojnë nga 18.9 për qind deri në 77.8 për qind më të larta. Disa volume pune në kontratë janë përcaktuar apriori e disa prej tyre të fryra, si pasojë e mungesës së projektit të zbatimit. Për shkak të hapësirave të kontratës, janë kërkuar edhe afër 142 milionë euro shtesë, gjë që do ta çonte vlerën paraprake të rrugës në 560 milionë euro. Paradhënia prej 142 milionë euro vjen pas paradhënies prej 80 milionë euro që u dha nga qeveria pa filluar punimet që në vitin 2006”.
Marrë nga raporti i KLSH-së, janar 2008
PS: Basha po sfidon Drejtësinë, të japë dorëheqjen!
Partia Socialiste e komenton si sfidë ndaj Drejtësisë refuzimin e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha për t’u paraqitur në Prokurori dhe padinë që ai ka ngritur ndaj këtij institucioni. Për këtë arsye, zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, kërkoi dorëheqjen e ministrit Basha. “Me aktin e tij arrogant dhe kërcënues, ai kërkon t’u imponohet organeve të Drejtësisë dhe t’u tregojë atyre se ato nuk mund të veprojnë mbi të apo shokët e ekipit të tij qeveritar, pasi kanë për mbrojtës një kryeministër që urren në palcë fjalën Drejtësi apo pavarësi të Gjyqësorit, kurdo që kjo e fundit del jashtë "vathës" së tij qeveritare apo akuzon ndonjë syresh të "oborrit" kryeministror. Qëndrimi i z. Basha ndaj Prokurorisë u tregon shqiptarëve se ai është në postin e ministrit për t’i shërbyer klanit të tij qeveritar dhe për të mbuluar gjurmët e korrupsionit masiv me paratë publike që fillojnë në ish-ministrinë që ai drejtonte dhe përfundojnë në qeverinë ku ai bën pjesë. Për këtë qëllim, ai duhet të largohet nga ky post”, - tha Kodheli.
Bogdani: “Rruga Durrës-Morinë lë pa gjumë opozitën”
Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gert Bogdani, ka reaguar dje pas deklaratës nga selia rozë duke theksuar se opozita zgjodhi ditën e flamurit për të sulmuar një vepër që, sipas PD-së, është shekullore. “Nga ata, të cilët, rruga Durrës–Morinë, aorta e kombit tonë, i lë pa gjumë. Nga ata, të cilët, nuk festojnë Ditën e Flamurit dhe që këtë rrugë me interes jetik për shqiptarët e sabotojnë nën drejtimin e zotit Rama dhe për interesa të mirëfillta joshqiptare. Nga ata, të cilët, vodhën për 6 vjet taksat e shqiptarëve dhe nuk ndërtuan as një metër rrugë. Rruga Durrës – Morinë është kryevepra shqiptare e këtij shekulli në fushën e ndërtimeve, është vendimi më i drejtë, më i madh, më i rëndësishëm, që një qeveri shqiptare ka marrë ndonjëherë për vendin dhe kombin e vet. Partia Demokratike deklaron se ministri Basha ka zbatuar, zbaton dhe do të zbatojë me rigorozitet të plotë ligjet dhe rregullat e shtetit ligjor, të cilat përbëjnë edhe thelbin programor të kësaj partie”, - theksoi dje Bogdani.
29 Nentor 2008