E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Planet ndërkombëtare të respektojnë pavarësinë e Kosovës”

Kreu i LSI-së: “Plani i Ban Ki Munit shkakton konfuzion”. Meta: “Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe me rëndësi për rajonin”

Shaban Sulçe

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e Festës kombëtare të Pavarësisë. Meta ka uruar në veçanti shqiptarët e Kosovës, të cilët e festojnë këtë datë të shënuar për herë të parë në Kosovën e pavarur. Duke u ndalur te kjo e fundit, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka kërkuar me forcë respektimin e pavarësisë nga çdo iniciativë ndërkombëtare. Meta i është referuar planit 6-pikësh të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, duke shprehur shqetësimin për konfuzionin që shkakton ky plan në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Meta tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe është e vetmja rrugë për stabilitetin e rajonit. “Doja të shprehja disa shqetësime që unë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kemi lidhur me iniciativat e fundit ndërkombëtare, e në mënyrë të veçantë edhe me gjashtë pikat e sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zotit Ban Ki Mun, pasi ne besojmë se pavarësia e Kosovës është dhe duhet të jetë e pakthyeshme, dhe kjo është e vetmja rrugë edhe për stabilitetin e rajonit. Ne kemi vlerësuar dhe kemi mbështetur Planin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, presidentit Ahtisari për Kosovën, dhe institucionet kosovare kanë punuar në përputhje me këtë plan deri tani. Kosova është konfirmuar qartë se është dhe duhet të jetë një vend integral, por vëmë re me shqetësim se përcaktimi i EULEX-it si neutral është në një linjë të ndryshme me parimet e presidentit Ahtisari, të pranuara, në radhë të parë, nga vetë Kombet e Bashkuara”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Iniciativat

Meta tha se është shumë e rëndësishme që çdo iniciativë ndërkombëtare duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës, deklaratën e Pavarësisë së saj dhe Planin e Veprimit në Bashkimin Europian. “Ndaj theksojmë sot se çdo iniciativë ndërkombëtare për Kosovën duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë dhe Planin e Veprimit në Bashkimin Europian. Vetëm iniciativat që shkojnë në përputhje me sovranitetin e institucioneve të Kosovës dhe, njëkohësisht, me rrugën e saj tashmë të përcaktuar për integrimin europian, mund të ndihmojnë në forcimin e stabilitetit, edhe të Kosovës, edhe të rajonit tonë, sepse është shumë e rëndësishme për të gjithë ne”, - vijoi kreu i LSI-së.

Plani 6-pikësh

Meta e cilësoi planin 6-pikësh të Ban Ki Munit si një plan që shkakton konfuzion dhe interpretime të shumta, të cilat nuk ndihmojnë në procesin e stabilizimit. Ai tha se mbështet Planin e presidentit Ahtisari dhe të gjitha dokumentet e Kosovës që janë mbështetur në idetë e këtij plani. “Unë mendoj se rritja e ambiguitetit dhe e konfuzionit nuk e ndihmon procesin që të stabilizohet më shumë. Ne kemi qenë dhe jemi shprehur gjithmonë në përkrahje të Planit të presidentit Ahtisari dhe gjithë dokumentet e Kosovës i kanë marrë parasysh të gjitha idetë e këtij plani, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me garancitë për pakicat, e sidomos për pakicën serbe në mënyrë të veçantë. Duket qartë se është një moment, i cili sjell më shumë debate, sjell më shumë konfuzion dhe paqartësi dhe na duket edhe si një mbivendosje e vetë iniciativave të mëparshme të aprovuara nga Kombet e Bashkuara. Ajo çka ndodh me koniunkturat ndërkombëtare nuk duhet të reflektojë në një çështje kaq delikate si kjo e Kosovës, për të cilat janë marrë vendime të rëndësishme që më parë”.

29 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›