Në Durrës, ndotja ndodh para syve të Bashkisë

Plazhi i Durrësit vijon të ndotet nga ujërat e zeza që derdhen në det, nën hundën e Bashkisë, e cila edhe pse ka premtuar për një sezon turistik të pastër dhe dinjitoz për pushuesit, ujërat e zeza kalojnë nën këmbët e pushuesve dhe derdhen në plazhin e Adriatikut.
Pushues dhe banorë të Durrësit shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj kësaj situate aspak të denjë për një qytet që në sezonin turistik vizitohet nga 600 mijë turistë.
Pikërisht në vendin e quajtur “Apolonia”, çdo pushues apo kalimtar që të prekë rërën dhe të futet në plazhin publik të Durrësit, fillimisht përballet me një situatë aspak të denjë për një zonë turistike.
Prej ditësh në këtë zonë, kanë shpërthyer ujërat e zeza, ku është gati e pamundur të jetohet, ndërsa aroma aspak e këndshme që ato sjellin janë kthyer në shqetësim serioz për qindra banorë e pushues të zonës.
Pas shqetësimit të ngritur nga banorët dhe pushuesit e sektorit “Apolonia” në Durrës për ujërat e zeza, ka ardhur edhe reagimi nga institucionet përkatëse.
Në terren kanë mbërritur inspektorë të mjedisit, punonjës të komunales por edhe të ujësjellës-kanalizimeve, të cilët kanë nisur punën për zhbllokimin e pusetave me anë të makinerive thithëse, me qëllim ndërprerjen e shkarkimit të ujërave të zeza mes blloqeve të pallateve, të cilat më pas përfundonin në det.
Një aksion i vonuar, por jo i panjohur për institucionet në Durrës, ka bërë që banorët e zonës të bashkëjetojnë për shumë ditë mes ujërave të zeza dhe rrezikut të përhapjes së ndonjë epidemie
Krahas ndërhyrjes së vazhdueshme, inspektorë të agjencive rajonale të mjedisit në Durrës, e konsiderojnë situatën si mjaft problematike, ku kërkojnë ndërhyrjen e njësive vendore.
Sipas drejtuesve të ujësjellës-kanalizimeve në Durrës, zona turistike, e kthyer në një shqetësim kryesor për shkak të ujërave të zeza funksionon me gropa septike, të shkëputura nga kanalizimet dhe kolektori kryesor.
E vetmja zgjidhje sipas drejtorit teknik pranë ujësjellës-kanalizimeve në Durrës, Franc Stajka, është pastrimi i vazhdueshëm i gropave septike, me qëllim shmangien e një situatë aq problematike
E gjithë situata problematike, i faturohet njësive vendore, të cilat japin leje aty dhe ku mungon infrastruktura inxhinierike.
Gjatë fushatës elektorale mjaft premtime për përmirësim të infrastrukturës, kanalizimeve, në fushën e ndriçimit të bëra për banoret e lagjeve te Durrësit kanë mbetur ne letër.
Një sezon turistik me kushtet më të mira që mund t’u ofrohen pushuesve, ky ishte premtimi i radhës.
Por dhënia pa kriter e lejeve të ndërtimit nga ana e bashkisë së Durrësit ka krijuar vatra të shumta ndotje të ujërave të Adriatikut, duke rrezikuar sezonin turistik.
Alarmi është dhënë kohë më parë edhe nga Sektori i Higjienës që gjatë inspektimeve kanë konstatuar se njësitë vendore kanë dhënë leje ndërtimi për shumë subjekte pa një studim paraprak, të cilat nuk janë të lidhur me rrjetin e kanalizimeve, por përdorin gropat septike, shumica e të cilave është parë se janë nën kapacitet, të dëmtuara dhe aspak hermetike, duke shtuar ndjeshëm ndotjen e ujërave detare.
Por kjo situatë duket se nuk e ka shqetësuar bashkinë e Durrësit, e cila përballë këtij fenomeni shkatërrues për turizmin nuk kanë ndërmarrë asnjë masë.
Durrësi, qyteti që sipas burimeve zyrtare, pret mbi 600 mijë turistë gjatë sezonit veror në këto rrethana, rrezikon të mos frekuentohet nga pushuesit, të cilët përballë kësaj situate nuk u mbetet zgjidhje tjetër veçse të largohen. /abcnews/