E Shtunë, 31 Tetor 2026

Timon anglez në duart e një shoferi shqiptar!

Nga Express më 18 gusht 2011 në ora 21:00

Pavarësisht këndvështrimeve politike mënyra e ngarjes së makinës në një shtet, majtas apo djathtas, nuk ka arsye të qarta që nga fillesat e automobilizmit. Në vendin tonë ashtu si në pjesën më të madhe të botës qarkullohet në krahun e djathtë dhe në bazë të kodit rrugorë është e ndaluar të qarkullohet me automjete në krahun e majtë. Pavarësisht nga kjo, në rrugët e Tiranës por edhe në rrethe, kryesisht në veri të vendit, mund të përballesh me makina me targa të verdha (të Britanisë së Madhe) ku timoni është në krahun e djathtë të makinës. Sa i përket targimit në vendin tonë është lejuar të targosh një makinë e cila ka sistemin e drejtimit në krahun e djathtë, ndryshe nga makinat normale. Ndërkohë që edhe mënyra e dhënies së makinës është e njëjtë me atë që çdokush ka mësuar gjatë kursit të patentës, me të vetmin ndryshim që timoni ndodhet në krahun tjetër. Më tej, duke nisur që nga përdorimi i marsheve me dorën e majtë, i frenave të dorës (te makinat para viteve 2000), sinjalistikës në timon dhe folesë së çelësit, për shumë persona është në dukje e pamundur. Gjithsesi bëhet fjalë për mënyrën e adaptimit të dhënies së makinës, pasi gjithçka fuknksionon normalisht me të gjitha funksionet dhe opsionet e saj, pavarësisht se në ç’krah e ka të montuar sistemin e drejtimit. Një makinë e tillë mund të përdoret normalisht në vendet që qarkullohet në krahun e djathtë. Megjithatë, probleme mund të shfaqen.

Në të vërtetë, veç Britanisë së Madhe ku qarkullohet në kahun e majtë, janë edhe disa vende të tjera të tilla si Zelanda e Re, Australia, Tailanda e Malta ku qarkullohet në këtë mënyrë. Prakitikisht një pjesë e këtyre vendeve kanë qenë koloni ose nën ndikimin e Britanisë së Madhe. Në këtë vend nuk lejohet të targohen makinat me timonin në krahun e majtë, kjo më shumë për arsye biznesi dhe detyrimi që ka ky vend për të shitur makinat që prodhohen në Angli. Ndërkohë në Shqipëri interesi i blerjes së një makine me timon në krah të kundërt, pra një makine nga Britania e Madhe, është çmimi. Shoferi shqiptar e quan normale dhe të pranueshme kur bëhet fjalë për një çmim më të lirë. Maksimumi që mund të ndodhë është se kur t’ju ndalojë ndonjëherë ndonjë polic, mund të pyesë pasagjerin në krahun e majtë: “Ku e ke timonin…?”

Problemet e timonit në krah të kundërt:

Marshi. Shumica e njerëzve janë djathtoshë, dhe përdorimi i marshit “anglez” me dorën e majtë u shkakton probleme.

Sedilja e pasagjerit në krah të rrugës e jo të trotuarit, përbën problem për zbritjen e tij në mes të rrugës.

Pozicioni i shoferit në krah të trotuarit e detyron të ekspozojë shumë makinën nëse dëshiron të kontrollojë se çfarë ka përtej makinës që gjendet përpara tij.

Syri më i fortë tek njeriu është ai i djathti. Në makinat “normale” syri i djathtë kontrollon pasqyrën në krahun e shoferit për të vëzhguar trafikun. Në makinat me timon anglez, syri që kontrollon në pasqyrë është ai “i dobëti”, i majti. Prandaj këshillohet që sidomos pleqtë të përdorin makina me timon kontinental, pra, “normal”, meqë tek ata është shumë e domosdoshme që të përdor pasqyrën në krah të majtë.

Shifra

1969 Një studim nga J. J. Leeming tregoi se vendet ku shoferi e ka timonin në krahun e majtë kanë përqindje më të ulët përplasjesh se ato me “timon anglez”

Çmimi

10 mijë euro çmimi mesatar Mercedes ML 270 e vitit 2005 në Angli

15 mijë euro çmimi mesatar Mercedes ML 270 e vitit 2005 në Gjermani/Itali

2 mijë euro kushton ndryshimi i sistemit të drejtimit Mercedes ML 270 e vitit 2005

Arsyet e vërteta përse disa vende qarkullojnë në krahun e majtë e disa në djathtë mund të jenë…

* Arsyeja e parë vjen që nga koha e kalorësve, të cilët mendohet se zakonisht qarkullonin në krahun e majtë për të përdorur me më shumë lirshmëri shpatën me krahun e djathtë në rast se sulmoheshin.

* Në shekullin XVII me shfaqjen e karrocave, u zgjodh sërish të qarkullohej në krahun e majtë për një komoditet më të madh, ndërkohë që detyronin më të varfrit që nuk kishin një karrocë të ecnin në këmbë në krahun e djathtë që të mos vriteshin a trembeshin.

* Shpesh mendohet që Napolon Bonaparti ishte ai që krijoi idenë e qarkullimit në krahun e djathtë në Europë. Në të kundërt me Mbretërinë e Bashkuar, udhëheqësi francez propozoi qarkullimin në krahun e djathtë, i cili ishte dhe qëndrimi i popullit, duke krijuar në një farë mënyrë oponencë ndaj krahut të majtë që përdorej për qarkullim vetëm në Britaninë e Madhe. Por për këtë zgjedhje, ka dhe spekulime se vetë Napoloni duke qenë se ishte mëngjarash preferonte të ecte djathtas, që krahun e majtë ta kishte të lirë.

* Një tjetër variant është i Papa Bonifacios VIII, i cili me rastin e një jubileu, i kërkoi këshillit të Romës që të qarkullohej në krahun e majtë, kërkesë që mendohet të jetë bërë për të disiplinuar dhe kontrolluar fluksin e pelegrinëve.

Këndvështrimi teknik dhe rregulli!

Detyrimi për të lëvizur nga një krah i specifikuar i rrugës, në një qarkullim të organizuar, nevojitet ngaqë makinat që lëvizin në drejtime të kundërta duhet të jenë secila të ndara nga njëra karrexhatë (nga njëra anë e rrugës) në mënyrë që të mos krijohet bllokim i rrugës dhe të evitohen në maksimum aksidentet. Një detyrim i tillë u përcakton drejtuesve të mjeteve që të qarkullojnë nga krahu i djathtë apo i majtë sipas ligjit e kodit rrugor të secilit shtet. Një gjë e tillë është thelbësore për një transport të sigurt. Sa i përket qarkullimit rrugor, 66% e popullsisë së planetit lëviz djathtas, 34% lëviz majtas.

Në Rusi edhe qarkullimi i këmbësorëve bëhet me tabelë!

Në Rusi, ashtu si edhe në vendin tonë qarkullohet në krahun e djathtë, por nuk është ndonjë gjë shumë e rrallë të shohësh edhe makina me timon në krahun e kundërt. Këto makina importohen nga Japonia por nuk kanë nevojë për leje të veçantë pasi në Rusi lejohen. Ndërkohë në këtë shtet ka tabela edhe për të ndarë qarkullimin e këmbësorëve në për trotuare. Këto tabela shihen kryesisht në Moskë e pranë galerive e veprave të artit. Ndarja e këmbësorëve është vendosur për arsye lirshmërie të qarkullimit e të mos krijohen pengesa a dyndje në për këto vende. /shekulli/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›