E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në Emër të Kushtetutës

13/03/2005  Rreth dy ditë më parë, në parlamentin shqiptar u hodh poshtë propozimi i Partisë Demokrate të Reformuar për të afruar datën e zgjedhjeve para 3 korrikut, të cilat, sipas Kushtetutës, nuk mund të mbahen më parë se data 3 korrik dhe jo më vonë se data 3 gusht. Në thelb të këtij propozimi qëndronte shqetësimi se periudha në fjalë nuk është e përshtatshme për të inkurajuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Për këtë qëllim propozohej që data e zgjedhjeve të afrohej, në mënyrë që të krijohen të gjitha kushtet e mundshme për të nxitur pjesëmarrjen në votime. Propozimi u hodh poshtë nga Grupi socialist, që votoi kundër tij. Arsyetimi i dhënë ishte se afrimi i datës do nënkuptonte shkeljen e Kushtetutës. Pra, propozimi u rrëzua në emër të Kushtetutës.

Shumë nga veprimet më banale, antidemokratike dhe kriminale janë bërë shpesh në emër të idealeve të larta, apo për hir të së mirës së përbashkët. Ose të paktën ato kështu janë justifikuar. Më parë të gjitha arrestimet, vrasjet, dënimet apo pushkatimet e regjimit komunist bëheshin në emër të popullit. Në ditët tona, jo rrallë e dëgjojmë kushtrimin për mbrojtjen e Kushtetutës, jo vetëm nga pushtetarët, por edhe nga analistët ‘e pavarur’, të cilëve më shumë se fryma u dhemb gërma e Kushtetutës. Dhe rasti në fjalë është tipik. Ai anashkalon frymën e Kushtetutës për të fshehur një qëllim të mbrapshtë: uljen e pjesëmarrjes në votime.

Nuk është hera e parë që, në emër të gërmës së Kushtetutës të anashkalohet jo vetëm fryma e saj, por edhe disa nga parimet themelore të demokracisë, gjë që ndodh edhe nga lloji i Kushtetutës që ne kemi, e cila më shumë se të zgjidhë duket se krijon probleme. Është e panevojshme të futemi këtu në problemet që mbart vetë Kushtetuta, të cilat nuk janë të pakta. Ndonëse ky përbën një shqetësim madhor, ajo që është akoma më shqetësuese është mënyra se si Kushtetuta keqpërdoret për të fshehur mungesën e vullnetit për të respektuar proceset demokratike, si zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Janë të freskëta raste si ai i balancimit të KQZ-së, kur mungesa e vullnetit për të pasur një organ të balancuar fshihej pas ‘respektit’ për Kushtetutën.

Edhe në rastin konkret, shikojmë të përsëritet një fenomen i tillë. Ndonëse është e vërtetë që periudha kohore është e përcaktuar në Kushtetutë, kjo s’do të thotë aspak që diçka e tillë nuk mund dhe nuk duhet të ndryshojë. Në fund të fundit, qëllimi përfundimtar i Kushtetutës është që të garantojë një proces demokratik dhe jo anasjelltas. Aq më tepër kur bëhet fjalë për diçka që ka të bëjë me gërmën dhe jo me frymën e Kushtetutës. Fatkeqësisht, ndryshe nga shumë kushtetuta të tjera, në Kushtetutën tonë janë përcaktuar edhe disa detaje të tilla të kodit elektoral, që shpesh janë të panevojshme të përcaktohen në Kushtetutë, e cila duhet të merret me parimet dhe jo detajet ligjore. Në fund të fundit, vetë kodi elektoral është një tërësi procedurash, që kanë si synim përfundimtar garantimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm elektoral. Çfarëdolloj ndryshimi në funksion të këtij qëllimi, si në Kushtetutë, ashtu edhe në kodin elektoral është mëse i justifikuar dhe kushtetues. Është sa perverse, aq edhe e qëllimshme mënyra se si Kushtetuta kthehet në një tabu të paprekshme për të institucionalizuar një sërë deformimesh politike, që janë thjesht mungesë vullneti nga ana e shumicës.

Kështu do të ishte mëse normale që të bëheshin amendime kushtetuese, në mënyrë që data e zgjedhjes të ishte në një periudhë kohore që nxit pjesëmarrjen në votime, aq më tepër kur kjo pjesëmarrje ka qenë në rënie të vazhdueshme. Po në këtë mënyrë mund të bëheshin ndryshime në kodin elektoral, apo mund të arrihej një marrëveshje politike midis palëve për të bërë diçka e tillë. Ajo që është themelore në të gjitha këto zgjidhje, që janë jo vetëm brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues, por edhe krejtësisht të justifikuara politikisht, është vullneti politik. Në fund të fundit, 2/3 e votave janë krejtësisht të mjaftueshme për të bërë amendimet kushtetuese, apo për të ndryshuar kodin elektoral. Pra, data e zgjedhjeve mund të afrohej mjaft lehtë në mënyrë kushtetuese, nëse PS-ja e mendonte diçka të tillë si të dobishme. Kështu, argumenti, se afrimi i datës së zgjedhjeve është antikushtetues, shërben thjesht për të anashkaluar çështjen themelore; a mendon shumica socialiste se data e zgjedhjeve duhet të afrohet apo jo. Për mendimin e tyre, periudha e nxehtë e zgjedhjeve është e përshtatshme apo jo? Me votimin e tyre, socialistët thanë qartë që për ta data e zgjedhjeve nuk duhet afruar.

Në këtë pikë pyetja që shtrohet është përse? Aq më tepër që, në parlament, socialistët nuk argumentuan aspak se periudha në fjalë nuk do ndikojë në uljen e pjesëmarrjes në votime. Një argument që është i vështirë të përballet me faktet dhe logjikën më elementare. Gjë që na bën të besojmë se edhe ata vetë janë të ndërgjegjshëm se periudha e nxehtë e verës do ndikojë në uljen e pjesëmarrjes në votime. Rrjedhimisht, hamendësimi më i parë, që rrjedh natyrshëm nga argumentimi i mësipërm, është se mbase PS-së nuk i intereson një pjesëmarrje masive në zgjedhje. Vetëm një konkluzion i tillë do ta shpjegonte sjelljen parlamentare të PS-së dhe mbrojtjen e ‘zjarrtë’, që ata i bën Kushtetutës përballë nxehtësisë verore.

Sado i çuditshëm të duket një argument i tillë në pamje të parë, ai është në fakt mjaft i mirëllogaritur. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje dëmton para së gjithash Partinë Demokratike. Një sërë sondazhesh, si dhe eksperienca elektorale shqiptare, tregon se elektorati i PS-së, për nga vetë përbërja dhe mentaliteti, është shumë më i disiplinuar se ai i PD-së. Për më tepër, duke qenë në pushtet, PS-ja ka si pjesë të saj një rrjetë të gjerë votuesish dhe militantësh të lidhur mjaft ngushtë me të, nëpërmjet përfitimeve nga pushteti, qoftë nëpërmjet punësimit apo biznesit. Pra, një numër mjaft i madh votuesish të PS-së do dalin në zgjedhje, pasi nga rotacioni i pushtetit ata humbasin në mënyrë të menjëhershme përfitimet nga qenia në pushtet e PS-së, përfitime që ata mund t’i shijojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo nëpërmjet një familjari, apo miku. Sa më e vogël të jetë pjesëmarrja në zgjedhje, aq më e rëndësishme bëhet kjo përqindje.

Së fundi, një pjesëmarrje e vogël në votime e thjeshton dhe lehtëson qoftë blerjen apo manipulimin e votës. Sa më e vogël pjesëmarrja, aq më pak vota është e nevojshme të blesh, dmth., me më pak shpenzime mund të fitosh një përqindje më të madhe votash. Gjithashtu, sa më e ulët të jetë pjesëmarrja, aq më e lehtë është që të manipulosh rezultatin, më pak njerëz duhet të zhvendosen nga listat, duhen më pak vota të pavlefshme, dhe në përgjithësi më të vogla duhet të jenë ‘gabimet teknike’ në zgjedhje, nëpërmjet të cilave garantohet fitorja.

Të gjitha këto argumente të marra së bashku e bëjnë më të kuptueshëm zellin për kushtetueshmëri të Partisë Socialiste, që kish kohë që nuk shfaqej. Mbase sa më sipër janë thjesht hamendësime, mbase PS-ja nuk ka aspak qëllim të luaj me zgjedhjet. Do dëshironim vërtet që të ishte kështu, por fatkeqësisht historia elektorale e PS-së ka treguar të kundërtën. Strategjitë elektorale të PS-së edhe kur kanë qenë ‘kushtetuese’ nuk kanë qenë të ndershme, sikurse e tregon edhe rasti i Dushkut. Vendimi i fundit i PS-së për të mos afruar datën e zgjedhjeve, është një tjetër fakt që e provon këtë. Gjë që të bën të besosh se edhe nëse, e thyer nga presioni ndërkombëtar, PS-ja mund të detyrohet që zgjedhjet t’i bëjë të lira, ka pak gjasa që ajo t’i bëjë ato të ndershme. Përndryshe, nuk ka si shpjegohet refuzimi i afrimit të datës së zgjedhjeve nga shumica socialiste, një veprim që minimalisht do të shërbente për të krijuar një klimë besimi mes palëve dhe maksimalisht do afronte më shumë qytetarë pranë kutive të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›