E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkupi përkujton 48 vjetorin e tërmetit

Nga Express më 26 korrik 2011 në ora 12:21

Shkupi përkujton sot 48-vjetorin e tërmetit katastrofal, si pasojë e të cilit humbën jetën 1.070 persona dhe u plagosën 3 mijë të tjerë. Në shënimin e kësaj date do të zhvillohen disa aktivitete nga ana e qytetit të Shkupit dhe homazhe në varrezat e qytetit.

Në Qendrën tregtare "Soravia" prej orës nëntë deri në orën 17 do të zhvillohet aksioni tradicional për dhurimin e gjakut Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit.

Në Muzeun e Qytetit të Shkupit u hap ekspozita "Takim i solidaritetit 1964-1973".

Tërmeti katastrofal në Shkup ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 në orën lokale 05:17 minuta, ndërsa dridhje më të vogla kishte deri në orën 05:43.

Tërmeti i Shkupit u ndje në një hapësirë prej rreth 50 mijë kilometrash katrorë.

Nga tërmeti u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera.

Mbi 200.000 persona mbetën pa shtëpi. Për shkak të këtij tërmeti shkatërrues dhe me pasoja, OKB miratoi një ndihmë për ri-konstruimin e Shkupit.

Kryeqyteti i Maqedonisë gjatë periudhave historike vazhdimisht ka qenë i goditur nga tërmetet.

Në hapësirën mes fshatrave Zlokuqan dhe Bardovcë ka ekzistuar qyteti i Skupit, metropol i provincës Dardania.

Ky qytet, në vitin 518 ka qenë plotësisht i shkatërruar nga tërmeti. Atëherë në provincën Dardania janë shkatërruar 24 bedena të qytetit.

Forca e këtij tërmeti ka qenë 10-11 ballë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›