E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja në Coppa America, festë madhështore në Uruguaj

SHBA- Një festë e jashtëzakonshme ka përfshirë gjithë popullin uruguajan pas përfundimit të finales me Paraguajin, që skuadra e Tabarez e ka fituar 3-0. Uruguaji u bë kështu ekipi me më shumë trofe në Amerikën e Jugut, duke kaluar edhe Argjentinën. Festa ka nisur që në rrugët e Buenos Airesit, ndërkohë që në Montevideo të gjithë njerëzit kanë dalë në rrugë.

Bori makinash, flamuj dhe një çmenduri kolektive ka përfshirë tifozët, që kanë festuar në qendër të kryeqytetit me pamje live nga Argjentina. Skuadra ka mbërritur shumë shpejt në Uruguaj për shkak të distancës së afërt dhe është pritur në një mënyrë madhështore në aeroport. Më pas, ekipi është zhvendosur në stadiumin “Centinario”, i mbushur plot e përplot dhe ku njerëzit kanë festuar për orë të tëra.

Përsa i përket finales, ajo nuk pati shumë histori, me Uruguajin që dominoi nga fillimi në fund dhe fitoi 3-0. Luis Suarez, i shpallur edhe futbollisti më i mirë i turneut, ishte ai që hapi serinë e golave pas vetëm 12 minutash lojë. Në fundin e pjesës së parë Diego Forlan dyfishoi shifrat, pas një topi të rikuperuar nga Arevalo Rios.

Në pjesën e dytë, Paraguaji pati shanse të rikthehej në lojë, por pa arritur të shënojë. Në sekondat shtesë, Forlan shënoi edhe golin e dytë, pas një asisti të Suarez me kokë, duke i dhënë Uruguajit trofeun e 15-të në Coppa America. Ndërkohë, portieri i Paraguajit Justo Vilar u shpall portieri më i mirë i kompeticionit, ndërsa Gerrero i Perusë mori Këpucën e Artë. Një çmim special edhe për mbrojtësin uruguajan Sebastian Koates, i shpallur i riu më i mirë.
(e.m(A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›