Vdesin dy persona, plagoset edhe shoferi i kryetarit të Bashkisë Patos
Përgjaket rruga kombëtare Fier-Ballsh. Dy persona kanë mbetur të vdekur, ndërsa një i tretë është plagosur rëndë në një aksident automobilistik, në vendin e quajtur "Kthesa e Portzës", pranë Fierit. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë për "Shqip" se ngjarja rrugore ka ndodhur rreth orës 19:00 të së mërkurës, kur automjeti i tipit "Mercedez Benz", me targa MK4185A, është përplasur me një mjet tjetër, "Toyota", me targa TR4682I.
Për pasojë, dy personat që udhëtonin me automjetin me targa të Mallakastrës, kanë mbetur të vdekur në vend, ndërsa drejtuesi i mjetit me targa të Tiranës është plagosur rëndë. Burimet policore kanë sqaruar për "Shqip" se viktimat janë 46-vjeçari Karafil Karafilaj, si dhe 28-vjeçari Adi Kodheli, i biri i ish-kryetarit të Bashkisë së Ballshit. Ndërkohë që i plagosuri është Agim Jaupaj, banor i lagjes "Liri", Fier, i cili punon si shofer i kryebashkiakut të Patosit. Jaupaj ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që deklarohet se ka marrë plagë të rënda. Shoferi i kryebashkiakut të Patosit ishte duke udhëtuar për në drejtim të Patosit, kurse automjeti me targa të Mallakastrës në drejtim të Fierit. Ndërkohë, paraprakisht mësohet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia me të cilën udhëtonin të dyja makinat.
Ma.Tr.