Në Kukël të Shkodrës përkujtohet Mjeda
Në Kukën të Shkodrës është zhvilluar aktiviteti “Përkujtimi i Mjedës”, një veprimtari e organizuar në homazh të personalitetit të shquar të letrave shqipe, poetit, prozatorit, gjuhëtarit, muzikologut, historianit, arkitektit dhe pionierit të arsimit shqiptar, Ndre Mjeda. Aktiviteti “Përkujtimi i Mjedës”, u organizua nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fondacioni “Ndre Mjeda”, në mbështetje edhe të Arqipeshkvisë Shkodër, për të nderuar në 74-vjetorin e vdekjes së tij. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila vizitoi ambientet ku jetoi e shërbeu Dom Ndre Mjeda, ekspozitën me fotografi dhe vepra të Mjedës si dhe panairin e mbajtur me këtë rast me produkte karakteristike të zonës. “Ndre Mjeda ishte kalorës prijës i letrave shqipe, Ndre Mjeda ishte pionier i hapjes së shkollave shqipe, i gjuhës shqipe, Ndre Mjeda ishte ndër deputetët e parë të Parlamentit të parë shqiptar më 1921. Ai ishte ndoshta më eleganti në poezi, më i papërsëritshmi në sonetet e tij” – tha ndër të tjera Jozefina Topalli. Për kontributin në studimet mbi personalitetin e shquar të letrave shqipe Mjedës, iu dha çmimi “Ndre Mjeda”, studiuesit Mentor Quku.