E Shtunë, 31 Tetor 2026

Migjeni me katër kohë lindjeje

Poeti i jashtëzakonshëm i qytetit të madh kulturor të veriut, prozatori modern dhe tepër kontrovers, si me kohën dhe idetë e saj, Millosh Gjergj Nikolla ka më 30 shtator të këtij viti 100- vjetorin e lindjes. Arkivi i Muzeut të Shkodrës ka një dokumentacion të pasur dhe autentik rreth jetës dhe veprës së Migjenit, por në morinë e tyre është interesante të shikohet se sa vështirësi ka pasur në përcaktimin e datës së lindjes së poetit, më të guximshëm dhe më i diskutuari në letërsinë shqipe. Data e lindjes së poetit sot është fiksuar si 13 tetor 1911,

por është i vërtetë fakti se ka pasur tepër vështirësi në përcaktimin e një date lindje për poetin dhe, sipas dokumentacionit duket se vetëm një gjyq ka zgjidhur disi problemin ligjor, por jo datat e shumta në dokumentet e kohës. Një nga problemet e mëdha që ka dalë në përcaktim të datës së lindjes së tij, është se ai ka lindur në Shkodër e duke qenë një ortodoks, ai është regjistruar edhe në regjistrat fetarë sipas kalendarit orthodoks kishtar. Por pavarësisht kësaj, në një pjesë të rëndësishme të dokumentacionit origjinal të fondit Migjeni, ka disa mospërputhje të rëndësishme. Ekziston një dokument që duket se është një përpjekje për ta riparuar pasaportën e shtetit shqiptar, tek e cila deklarohet si ditë e lindjes së Migjenit 30 shtatori i vitit 1909. Por ky dokument është më hershëm se pasaporta dhe kjo është shumë e dyshueshme. Është pikërisht një datë që në ditën e muajin përkon, por përsa i përket vitit, luan me dy vite përpara. Pra nëqoftëse do të ishte kjo datë, ne nuk do të kishin përpara 100-vjetorin e lindjes së poetit dhe prozatorit të madh, por 102-vjetorin. Normalisht, që pothuaj të gjithë kanë rënë dakord me datën e lindjes së tij, por ama dokumenti që e ka të shkruar këtë datë, po themi gabim, është Pasaporta e Shtetit Shqiptar, e lëshuar për të në Itali, në kohën që ai ishte i sëmurë, në datën 13-12-1937. Kjo pasaportë, ishte e vlefshme për një vit, dhe është dokumenti i fundit zyrtar që poeti shkodran ka pasur para se të vdiste. Mirëpo ky dokument ka qenë bazë në formulimin e dokumentacionit në momentin e vdekjes së tij në Torino, në datën 26 gusht të vitit 1938. Kjo datë nuk përputhet me dokumentin origjinal të “Komunës së Torre Pellice”, e cila përcakton vendin dhe kasetën ku janë edhe eshtrat e poetit Milosh Gj Nikolla, dhe datën e lindjes së tij e vendos 13 tetor 1911 në Shkodër. Për më tepër, dokumenti është i vitit 1955 dhe i datës 6 tetor dhe është lëshuar për të sjellë pikërisht eshtrat e Migjenit në vendin tonë, ku shkruhet se i drejtohet “Cimitero Comunale di Tirana”. Pra edhe në këtë dokument zyrtar të saktë nga Italia është diskordanca në ditën e lindjes së Migjenit, por viti është sëpaku në këtë rast jo i diskutueshëm, kurse data e lindjes dhe muaji me sa duket, kanë diferenca edhe në sajë të verifikimit të pasaportës dhe certifikatës së korrigjuar, e cila sqaron se ku qëndron gabimi. Patjetër që njerëzit, ose për më tepër motra Olga, do të kenë paraqitur dokumente të cilat dalin edhe nga Kisha apo religjoni, dhe mund të jetë bërë dallimi nga kalendari në kalendar, po të kemi parasysh ndryshimin. Është e habitshme se nga Bashkia e Shkodrës, (Gjendja Civile), është lëshuar një dokument i plotë-certifikatë i datës 26.01. 1937, ku datëlindja e Migjenit theksohet se është 30-9-1911. Patjetër që është diçka e çuditshme sepse Pasaporta me numër 47 dhe i librit 479, e lëshuar në datën 13.12.1937, ka një mospërputhje muajsh dhe për më tepër ajo është lëshuar nga e njëjta zyrë e Bashkisë së Shkodrës. Pra kemi dy dokumente, por me data të ndryshme të lindjes. Pra pasaporta që është lëshuar një vit më vonë, dhe certifikata e nënshkruar nga nëpunësi Hamdi Fetiu, thotë datën 30 shtator 1911. Të dy janë dokumente që dalin nga institucionet e Shkodrës. Në një nga dokumentet, Hamdi Fetiu sqaron me shkrim se është “Gjygji i Paqit të Këtueshëm, kte datëlindje, e ka korrigjue më 1911”. E megjithatë, edhe pse certifikata e tillë ka sqaruar se “datëlindja është korrigjuar” pasaporta është bërë me datëlindjen e regjistrit të vitit 25 maj 1930-të, që deklaron si datë të lindjes së poetit 30 shtatorin e vitit 1909. Kjo certifikatë, e lëshuar përpara pasaportave dhe që ka për bazë një gjyq në fakt, është edhe ajo, që tashmë ka vendosur edhe datëlindjen e Migjenit, por....!! Por pasaporta e Migjenit për “Europë” (në atë kohë lëvizja e shtetasve shqiptar ishte e lirë) me numër 353-74 dhe me numër libri 282 e lëshuar me datën 23.07.1935, datëlindjen e poetit e vendos në vitin 1909. Një pasaportë tjetër e Migjenit, e lëshuar në 17.06.1932 me numër 2 dhe libër 73, e ekzagjeron fare teksa shkruan se viti i lindjes së poetit është 1912-ta. Kjo pasaportë ishte vetëm për territorin e Shqipërisë. Edhe se është e kuptueshme se dokumentacioni ka pasur probleme burokratike, në një farë mënyre kuptohet se data e lindjes së poetit ka hasur vështirësi për tu përcaktuar derisa një gjë e tillë i është deleguar gjyqit për ta zgjidhur. Ka qenë e pa përcaktuar si dita e lindjes, muaji por edhe viti i lindjes, së një prej autorëve më të jashtëzakonshëm. Ka një dokument shkollor, i cili ka edhe ai një datë, dhe ky dokument është në serbokroatisht ku jepen gjeneralitetet e Migjenit, dhe me sa shihet është plotësuar në vitin 1929-të. Ai ka edhe një datë lindjeje e cila nuk është qartësisht e shënuar, por duket të jetë 28 tetor 1911. Dokumenti që është marrë si bazë dhe përjashton edhe ditëlindjen e Migjenit, në sajë të interpretimit të kalandarit ortodoks dhe që korrigjon edhe regjistrin e Gjendjes Civile të Migjenit është ai i cili largon datën 30 shtator 1909-të dhe e vendos datën 30 shtator 1911. Ky dokument ka vetëm kundërshtinë e pasaportës, e cila ka dalë po nga kjo zyrë, por më vonë, dhe në një farë mënyre i komplikon disi gjërat. Gjithsesi Migjeni ka në dokumente katër kohë lindjeje, dy janë të shtetit shqiptar, një e dalë nga Italia në sajë të të dhënave të familjes dhe dokumenti në gjuhën serbokorate i shkollës. Gjithsesi jemi në vitin 2011, kur në 100-vjetorin e tij, e ky është momenti për ta kujtuar, të tjerat pak rëndësi kanë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›