E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: Në Pogradec për të ruajtur pozitat

likaNga Edmond Sufaj

Trajneri i Partizanit vlerëson ekipin kundërshtar, por thekson se skuadra e tij shkon për maksimumin në këtë sfidë

Partizani do të luajë ndaj Pogradecit të shtunën në transfertë, sfidë shumë e rëndësishme për vijimësinë dhe objektivat e sezonit. Trajneri i të kuqve, Hasan Lika theksoi për Sportin Shqiptar se Partizani do të këtë përballë një kundërshtar të fortë. Pogradeci është një ekip që është paraqitur shumë mirë në këtë kampionat si në ndeshjet brenda ashtu edhe jashtë fushe.

Është një ekip për tu vlerësuar dhe i vështirë për tu mundur. Sigurisht, Partizani shkon për të marrë një rezultat pozitiv në këtë sfidë, pasi vendi i dytë është objektivi ynë kryesor në këtë kampionat, theksoi Lika. I pyetur nëse kjo sfidë mund të përcaktojë shumë mbi vendin e dytë në renditje, ai u shpreh:

Kampionati ka edhe shumë ndeshje deri në përfundim, kështu që nuk e shikoj si përcaktuese rezultatin e këtij takimi. Kuptohet, për ne do të ishte shumë pozitiv marrja e maksimumit në këtë ndeshje, por gjithçka do ta vendosë fusha e lojës, theksoi Lika. Me ardhjen e Likës në krye të ekipit, Partizani ka arritur të marrë tri fitore në tri ndeshje.

Nëntë pike, të cilat i kanë kaluar kryeqytetasit në vendin e dytë në renditje, madje të shkëputur tashmë me katër pikë nga mamurrsakët, të cilët kanë humbur shumë terren në ndeshjet e fundit.

Partizani do të luajë ndaj mamurrasit në ndeshjen pasardhëse në kryeqytet. Në këtë këndvështrim, Pogradeci mund të konsiderohet si kundërshtari i tyre direkt për vendin e dytë edhe pse largësia nga ata është pesë pikë.

Në këtë sfidë do të shkojnë dhe shumë tifozë nga Tirana në mbështetje të Demave të kuq, përkrahja e të cilëve do të jetë një faktor plus për skuadrën, e cila gjithnjë është mbështetur fort prej tyre. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ekipin tonë. Në këtë sfidë të fortë, përkrahja e tyre do të jetë shumë pozitive për paraqitjen e skuadrës në fushën e lojës.

Partizani gjithnjë është mbështetur nga tifozët, të cilët janë të shumtë në numër dhe të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, nënvizoi trajneri i Partizanit. Paraqitjet e fundit kanë ndikuar shumë në shtimin e interesimit nga tifozëria dhe nga simpatizantët e skuadrës, që nga ndeshja në ndeshje po e rrisin numrin e tyre në mbështetje të Partizanit.

Kujtojmë, që edhe pse në pozita jo shumë komodë në vitet e fundit, skuadra mbetet ende ekipi me më shumë tifozë në Shqipëri. Tifozët e kuq kanë qenë dhe një nga faktorët e ekzistencës së kësaj skuadre legjendare, e cila tashmë është në rrugën e duhur për rikthimin në elitë. Ndeshja në Pogradec është provë e vërtetë për potencialin real të skuadrës, e cila mban mbi supe një emër të madh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›