Në Kuvend do të rikthehet diskutimi i reformës në drejtësi
Realizimi i reformës në drejtësi duket se do të jetë kryefjala e diskutimit gjatë këtij muaji në Kuvendin e Shqipërisë. Dhjetori është muaji i fundit i këtij sesioni parlamentar dhe mazhoranca e opozita janë të angazhuara për të miratuar atë që ka mbetur pezull prej disa muajsh reformë në drejtësi. Aktualisht nga kjo reformë janë miratuar vetëm disa ligje, të cilat nga opozita nuk vlerësohen si të një rëndësie mjaft të madhe, pasi pjesa kryesore e gjithë kësaj pakete ende nuk është prekur. Gjatë këtij muaji, Komisioni i Ligjeve do të vazhdojë shqyrtimin e disa p/ligjeve të rëndësishme, pjesë e kësaj pakete, si p/ligji "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative", "Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat", "Për administratën gjyqësore" etj. Edhe ligjet e reja ekonomike do të vijojnë të jenë pjesë e rëndësishme e punimeve parlamentare, si p/ligji "Për faktoringun", "Për lojërat e fatit" etj.