Në MESS
Tragjikomedia “Shembja e Kullës së Ajfelit”, e cila trajton njërin prej problemeve më themelore të botës moderne, terrorizmin e lindur si pasojë e konfliktit politik e religjioz mes orientit dhe oksidentit, do të shfaqet në Sarajevë, në kuadër të Festivalit MESS. Autor i kësaj tragjikomedie është dramaturgu kosovar Jeton Neziraj, ndërsa regjinë do ta bëjë regjisori shqiptar nga Maqedonia Kushtrim Bekteshi. Përkthimin nga shqipja në gjuhën boshnjake e ka bërë Shkëlzen Maliqi.
Autori i dramës, Jeton Neziraj, tregon për Express se këtë dramë e ka shkruar vjet në maj për teatrin francez "Ephemeride" dhe prezantimi i parë në formën e leximit skenik para audiencës është bërë atje.
“Drama flet për terrorizmin modern, për religjionin dhe çështjet që lidhen me stereotipat kulturore e religjioze që myslimanët kanë për jo-myslimanët dhe anasjelltas. Përmes historisë së dy terroristëve të cilët kidnapojnë një klloshar francez përpiqem të identifikoj stereotipat e të dyja palëve për njëri-tjetrin dhe thjesht të sugjeroj sërish, atë që tashmë dihet, se kulturat, religjionet etj. kanë nevojë për njohje të ndërsjellë, në të kundërtën, ato do të mbizotërohen nga stereotipat të cilat nuk lënë hapësirë për dialog e komunikim”, shprehet Neziraj. Ai tha se detajet e produksionit akoma do të sqarohen. Shfaqja, e cila do të jetë bashkëprodhim kosovar-maqedon-boshnjak, do të shfaqet në festivalin MESS me 30 tetor të këtij viti, mirëpo, para se të shfaqet në Sarajevë, kjo shfaqje premierën do ta këtë në New York.
“Premiera botërore pritet të jepet në shtator, më 8, 9 dhe 10 në Gerald Lynch Theater dhe pastaj nga data 13-24 shtator në Irondale Theater Center, Fort Greene, Brooklyn”, tregoi Neziraj.
Teatri Kombëtar i Kosovës ka marrë pjesë edhe më herët në Festivalin MESS, drejtor i të cilit është regjisori i njohur Dino Mustafiq, mirëpo, kjo do të jetë drama e parë e një autori shqiptar, pasi që më herët janë dhënë dy shfaqje të Fadil Hysajt me autor joshqiptarë.
MESS tashmë veç njihet si një prej festivaleve më të rëndësishme në regjion. Neziraj tha se mbas përfundimit të luftës në Bosnje, reputacioni i këtij festivali ka ardhur duke u ngritur. Sot ai hyn në listën e festivaleve të rëndësishme në Evropë dhe për dramaturgun Neziraj është e rëndësishme që drama e tij të shfaqet në këtë festival.
“Natyrisht, është shumë e rëndësishme për mua si autor që shfaqja prezantohet atje dhe unë besoj që kjo i hapë rrugë bashkëpunimit të munguar kulturor mes Kosovës dhe Bosnjës, i cili, fatkeqësisht, për shkak të rrethanave politike këto vitet e fundit ka qenë i munguar”, tha Neziraj.
Në anën tjetër, regjisori i shfaqjes, Kushtrim Bekteshi, duke folur për këtë dramë, ka thënë se kjo është një dramë e guximshme edhe për sa i përket stilit dhe formatit të shkrimit. Sipas tij, atë e bënë unike struktura dhe mënyra sesi tërë ato nivele nën-strukturore ndërthuren dhe harmonizohen me njëra-tjetrën.
“E shkruar me shumë humor, nga një autor ballkanas, kjo është padyshim një dramë e mprehtë e cila në mënyrë të guximshme trajton çështje kaq kontroverse siç janë çështja e Islamit, ferexhesë dhe terrorizmit, pa u zhytur ne moralizimet dhe klishetë që zakonisht dominojnë temat e kësaj natyre”, ka thënë Bekteshi.
Sipas tij, ballafaqimi i kësaj drame me publikun do të krijojë mundësi për ta parë më thellë çështjen e debatuar për ferexhenë, e jo vetëm si politikë ditore apo si çështje juridike. Kjo gjë, u shpreh ai, do t`i hapë një perspektivë tjetër këtij debati dhe do ta fokusojë në një çështje më thelbësore – të njohësh dhe të kuptosh dramën e palës tjetër.
“Personazhet e kësaj drame janë nga të gjitha profilet e njerëzve të kyçur në këtë konflikt, dhe të cilët në zgjidhjen e këtij konflikti shohin ardhmërinë e tyre. Në dramën individuale të tyre kjo çështje arrin përmasa ekzistenciale, shpalos kuptimin e jetës së tyre dhe nxjerr në pah frikën, shpresat, ankthet, paragjykimet, torturën psikike, lirinë, sigurinë dhe raportin me tjetrin”, ka shtuar regjisori Bekteshi.