E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promemorie për trashëgiminë

Nga Express më 04 prill 2011 në ora 10:57

Përfaqësues të trashëgimisë kulturore, të arkitekturës, medias dhe shoqërisë civile, pak ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale, kanë nënshkruar një promemorie ku kërkojnë që kandidatët të kenë në qendër të vëmendjes propozime dhe masa konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore.

“Nëse kushdo kandidat do na merrte ne telefon dhe do kërkonte një mendim ne do ja jepnim. Të mundohemi t’ua imponojmë edhe këtë nevojë”, është shprehur Artan Lame, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

“Është pushtimi i tokës së bukës. Në tërë botën toka pastrohet nga gurët. Tek ne marrin gurë dhe ia hedhin tokës që të bëjmë shtëpi”, tha arkitekti Maks Velo.

Përfaqësuesit e këtij takimi kanë kërkuar që kjo fushatë vendore të jetë me programe konkrete për qytetarët të cilët kërkojnë më shumë hapësira publike, më shumë parqe dhe më shumë qendra kulturore.

“Shteti hyn si partner në fitim. Pjesëtarët e tij apo vetë shtetit kur nxjerrin një vendim që heq nga zonat e mbrojtura pyje dhe hektarë të tërë si në Karaburun dhe ja jep një kompanie private”, pohoi ambientalisti Xhemal Mato.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile janë shprehur të gatshëm të denoncojnë çdo kandidat që nuk i përmbahet programit të tij, pavarësisht se cilës parti i takon.

Deri më sot të paktën 50 monumente kulture janë shkatërruar dhe hequr nga memoria historike dhe kulturore e Shqipërisë, një nismë shkatërrimi që nuk po ndalet edhe sot.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›