E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Mitrovicë arrestohen dy serbë për kontrabandë me mallra

Mitrovicë, 31 gusht - Në vazhdën e zbatimit të planit operativ kundër kontrabandës së mallrave, njësiti i operimeve mbështetëse rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, ka identifikuar dhe sekuestruar mbi pesëmijë litra derivate të naftës dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar, njofton RTV21.
Dje pasdite, policët e njësisë mbështetëse operative në kuadër të planit të veprimit policor, kanë identifikuar dhe ndaluar për kontroll automjetin e dyshuar të tipit “Volksvagen kombi”, pa targa të regjistrimit, i cili po qarkullonte nga veriu i Mitrovicës përmes Lagjes së Boshnjakëve.
Zëdhënësi rajonal i policisë, toger Besim Hoti, tha se policia gjatë kontrollit të automjetit transportues, ka identifikuar një rezervuar të llamarinës të dizajnuar enkas për transport të derivateve, i cili ishte i vendosur në automjetin kombi.
Ngasësi i automjetit, një 20 vjeçar, sipas Hotit edhe ka pranuar se po transportonte derivate të naftës, por nuk posedonte asnjë dokument për prejardhjen dhe transportin e mallrave.
Më tutje, zyrtarët policor sqarojnë se derisa po kryenin detyrat e tyre zyrtare dhe kishin urdhëruar ngasësin e automjetit që nën shoqërim të policisë të dërgojë automjetin së bashku me mallin e dyshuar të kontrabanduar deri në terminalin doganor të Mitrovicës, në vend ngjarje ka arritur një i dyshuar, 26 vjeçar, A.Rakiqeviq, i cili besohet të ishte pronari i mallit të kontrabanduar dhe ka filluar pengimin e zyrtarëve policor.
“I dyshuari ka filluar të ofendoj zyrtarët policor ndërsa ka tentuar që me forcë të hap dyert e automjetit, duke mos lejuar të vazhdohet më tutje. I dyshuari, i cili gjithashtu njihet si një recidivist i ndërhyrjeve dhe pengimeve të policëve në kryerje të detyrave zyrtare, është arrestuar së bashku me ngasësin e automjetit transportues”, bëri të ditur Hoti.
Ai tha se dy të dyshuarit e arrestuar, të përkatësisë etnike serbe, banor të veriut të Mitrovicës, janë ndaluar në lokalet policore për mbajtje me vendim të prokurorit publik, ndërsa ndaj tyre do të iniciohen procedurat penale për kontrabandë me mallra dhe pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare.
Bëhet e ditur se automjeti së bashku me mallin e dyshuar të kontrabanduar, janë deponuar në terminalin doganor të Mitrovicës, kurse gjithsejtë 560 litra derivate të naftës janë regjistruar dhe sekuestruar për procedurë të mëtejme nga zyrtarët e doganave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›