Plagosi bashkëmoshatarin, kapet agresori

Mirditë, 31 Gusht, NOA Në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas një operiacioni të suksesshëm, forcat e policisë së Mirditës, kanë bërë arrestimin në flagrancë të 22-vjeçarit Alfred Rregji, me banim në fshatin Bulshare të Oroshit.
Siç konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, arrestimi i këtij personi u bë për arsye se dje në mesditë, në vendin e quajtur Fushat e Lugjeve të Mirditës, ai ka plagosur me armë zjarri bashkëmoshatarin e tij Taulant Lleshi, me banim në fshatin Lurth të Mirditës.
Bëhet gjithashtu me dijeni se gjatë vëzhgimit të vendit të ngjarjes, u sekuestrua në cilësinë e provave materiale 1 pushkë si edhe 1 gëzhojë.
Ndërkaq, nga ana e strukturave të policisë u kryen veprimet e para hetimore dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarje kriminale.
Materialet hetimore proceduriale do ti kalojnë prokurorisë së Lezhës në ngarkim të Alfred Rregjit për veprat penale të Plagosjes së rëndë me dashje dhe Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municionit, parashikuar nga nenet 88 dhe 278/2 të Kodit Penal.
n.e/NOA