Kapen 4 klandestinë në kufi, paguan 250 euro

Gjirokastër, 31 gusht, NOA Kundrejt një pagese prej 250 eurosh, katër klandestinë janë kapur duke kaluar në fshehtësi kufirin me Greqinë paraditen e sotme.
Lajmi konfirmohet nga efektivat e policisë së Gjirokastrës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, në kuadrin e goditjes së trafikut të klandestinëve dhe kalimit të paligjshëm të kufirit, ata kanë organizuar edhe këtë operacion, ku u kap në flagrancë edhe trafikanti i 4 klandestinëve.
Mësohet se këta të fundit i kishin paguar atij në total 1 mijë euro dhe ishin duke kaluar së bashku me të kufirin me Greqinë në momentin kur u kapën në flagrancë nga forcat policore të kufirit.
Konkretisht, aksioni ka ndodhur gjatë patrullimit në kufirin jeshil me shtetin grek në afërsi të vijës kufitare përballë fshatit Llongo të komunës Dropulli i Sipërm në Gjirokastër.
Ndërsa të ndaluarit, ishin që të gjithë nga qyteti i Fierit dhe trafikanti që mori 1 mijë euro, ishte udhërrëfyesi kundrejt fitimit 250 euro për person me emrin Adi Hysenaj, 35 vjeç.
Nga ana e policisë është bërë dokumentimi i plotë me prova ligjore i kësaj vepre penale dhe më pas është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpëmendur për veprën penale të Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, vepër kjo e parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal.
Ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA