E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në PS ka spiunë, për turp e paçin, kjo është gjëja më e neveritshme”

01-06-2012 / Gazeta 55

Reagon i revoltuar deputeti socialist Erion Braçe

Deputeti socialist, Erjon Braçe është ndodhur në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, për shkak të oponencës së shprehur prej tij, kundër qëndrimit të Edi Ramës në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së kryesisë së PS, Braçe iu kundërvu Ramës për situatën letargjike të opozitës, në një kohë kur nga ana tjetër, mazhoranca ka intensifikuar takimet brenda saj. Por, problemi i Braçes nuk është vetëm përpjekja për të “zgjuar” opozitën.
Lepuri fle diku tjetër.
Braçe dyshon se brenda PS-së ka spiunë, të cilët informojnë mediat për sherret dhe përplasjet në mbledhjet e forumeve të Partisë Socialiste. Madje edhe më keq akoma, shpifin, trillojnë dhe ia veshin Braçes si deklarata dhe qëndrime të shprehura nga ai. I këtij lloji ishte dhe reagimi i djeshëm i deputetit socialit, në faqen e tij zyrtare në Facebook. “Natyrisht që jam i inatosur! Nuk jam i inatosur me gazetarët, ata duhet ta kenë një burim në grupin e PS apo edhe jashtë saj, por prapë në PS! Me këtë burim jam i inatosur. E para, sepse e bën këtë gjë në shkelje të plotë të etikës së grupit të PS, marrëdhënieve mes nesh; e dyta sepse gënjen, pra referon në media ato që unë s’i kam thënë kurrë në mbledhje. Në mbledhjen e fundit të Kryesisë i kish thënë medias që unë e Kryetari i PS kishim këmbyer replika të ashpra kur edhe pse mbledhja ishte thirrur qartësisht për mua, i vetmi që nuk foli në të isha unë. Pra, ju tha mediave që unë kisha bërë namin kur unë nuk kisha folur hiç! Kjo është gjëja më e neveritshme në PS! Për turp e paçin”, thotë Braçe.
Mbledhja e dy ditëve më parë e grupit parlamentar socialist është përfshirë nga debatet mes deputetëve dhe kreut socialist Rama.
Kryetari socialist, i cili drejtoi mbledhjen e djeshme, është vënë para akuzave kur Erjon Braçe e ka cilësuar pozitën e PS në negociatat për Presidentin të shpërfillur.
Sipas Braçes, PD dhe aleatët e saj nuk morën parasysh asnjë nga kërkesat e PS për tryezë, takime apo proces për Presidentin e ri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›