“Kandidatura e mazhorancës me vlera, opozita ta votojë, mos ta paragjykojë”
Presidenti i ri - flet kreu i LSI-së, Ilir Meta
Për kreun e LSI-së janë të gjitha mundësitë që presidenti të zgjidhet në raundin e dytë. Meta tha se raundi i parë u ezaurua pa kandidatë, për shkak se u procedua me vonesë, por në dispozicion të procesit është e gjithë koha e duhur, që raundi i dytë të jetë një raund i suksesshëm
Ndërsa Edi Rama pret me padurim një përgjigje për tu ulur “ballë për ballë” me kryeministrin Sali Berisha, kreu i LSI-së, Ilir Meta rithekson edhe njëherë se një takim mes liderit të mazhorancës dhe kreut të opozitës, do përshpejtonte procesin e zgjedhjes së presidentit të republikës.
Meta u shpreh dje se përtej paragjykimeve, Berisha dhe Rama mund ta përshpejtojnë procesin dhe t’i hapin rrugë zgjedhjes së presidentit. “Kam kërkuar të zhvillohen takime të niveleve të larta dhe kam apeluar për takim Rama-Berisha në mënyrë që paragjykimet që burojnë nga distanca të shkrihen e të ecët në rrugë të mirë një zgjedhje dinjitoze e presidentit të ri dhe mbyllje e reformave. Një takim Berisha Rama do ndihmonte përshpejtimin e procesit, nuk kemi pse të humbasim ditë e javë në një situatë pritje se çdo minutë është e çmuar, vendi ka nevojë për shumë reforma”, shtoi Meta.
Kreu i LSI-së, ka kërkuar dhe një herë votimin e kandidaturës së mazhorancës për postin e kreut të shtetit, Xhezair Zaganjori.
Meta tha se ka ardhur koha që politika shqiptare të mos refuzojë më kandidatët vetëm se janë propozimi i kundërshtarit. “Është për të ardhur keq kur dëgjojmë paragjykime të pamenduara mirë që në vend t’i shërbejnë procesit të ndërtimit të një konsensusi ndihmojnë për të krijuar mure të panevojshme, është e rëndësishme të hiqet psikologjia e refuzimit apo bllokimit. Duhet të ecim drejt një figure që paraqet vlera të konsoliduara dhe i shërben funksionimit të institucionit të presidentit dhe besoj se duke u çliruar nga paragjykimet i kemi mundësitë të ecim në rrugën e duhur dhe ta kurorëzojmë me sukses raundin e dytë”, tha Meta.
Raundi i parë u dogj. Mendoni që Presidenti i ri të zgjidhet brenda raundit të dytë dhe të tretë?
Absolutisht që janë të gjitha shanset. Lidhur me raundin e parë unë e theksova edhe dje në fjalën time në Parlament që u procedua pak me vonesë edhe nga ana e mazhorancës. Ndoshta edhe opozita pati një pamjaftueshmëri kohe për të vlerësuar si duhet kandidaturën për President të ofruar nga ana e mazhorancës. Në këtë drejtim unë besoj se kemi gjithë kohën e duhur që raundi i dytë të jetë një raund i suksesshëm. Mazhoranca ka paraqitur një kandidat i cili ka vlera tepër solide dhe bindëse. Të paragjykosh është gjëja më e lehtë në shoqërinë tonë, akoma më keq në elitën e klasës sonë politik, por unë mendoj se paraqitja e një kandidature të tillë tregon edhe vullnetin e mazhorancës për tu hapur ndaj këtyre vlerave serioze, të qenësishme, të provuara, që ekzistojnë në shoqërinë tonë jashtë politikës për tu besuar edhe drejtimin e institucioneve të rëndësishme sikurse është edhe ky i Presidentit. Raste të tilla janë të shumta edhe në vendet më të zhvilluara.
Si do të gjendet kompromisi me Partinë Socialiste?
Mendoj se qëllimi kryesor është të ndërtohet një proces konsensual i cili tashmë ka nisur. Edhe fakti që mazhoranca nuk paraqiti kandidatura të forcave politike nuk duhet parë si pamundësi për të ofruar kandidatë të tillë, pasi pa asnjë diskutim që ka prej tyre, por si një vullnet për të lehtësuar konsensusin. Kuptohet që në këtë ndarje politike që ka karakterizuar jetën tonë parlamentare, në mënyrë të veçantë, do të ishte konsideruar si një provokim nga ana e opozitës çdo kandidaturë e tillë. Ndaj në këto kushte unë mendoj që opozita tashmë i ka të gjitha mundësitë për të qenë pjesë e këtij procesi, për të qenë në mënyrë aktive, dhe absolutisht që ajo ka të drejtën e saj që të bëjë edhe propozime të caktuar por në fund të fundit mendoj që mazhoranca ka hedhur hapin e parë. Hapi i mazhorancës është një hap i menduar, është një hap serioz, dhe për këtë më së miri flet edhe vetë figura e kandidatit të propozuar.
A jeni ju duke negociuar mes dy palëve?
Nuk është detyra jonë të negociojmë. Detyra jonë dhe angazhimi ynë ka qenë për të lehtësuar këtë proces komunikimi dhe të ndihmojmë për të ndërtuar konsensusin. Ne kemi dhënë kontributin tonë për të ndërtuar një konsensus brenda mazhorancës dhe absolutisht që theksojmë rëndësi që ky proces të jetë më i plotë, kjo është arsyeja që kam theksuar gjithmonë dhe e theksoj edhe sot, domosdoshmërinë e një takimi midis Berishës dhe Ramës pasi mendoj që ky takim do të mundësonte shkrirjen e shumë paragjykime të panevojshme.
E keni cilësuar procesin si të negociueshëm. Si shkohet drejt një tryeze ku të jetë ulur Edi Rama dhe Kryeministri Sali Berisha?
Nuk është hera e parë që ata janë ulur. Absolutisht kur janë ulur për arkitekturën e Kuvendit të ri nuk ka asnjë arsye që të mos ulen për Presidentin e ri që do të zgjidhet dhe duhet shkuar me vullnetin për t’i shërbyer këtij procesi konsensual dhe larg paragjykimeve të panevojshme.
Si do të sillet Lëvizja Socialiste për Integrim nëse Berisha kërkon të votohet një kandidaturë që të jetë një prej figurave më të larta të Partisë Demokratike për postin e Presidentit?
Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë dhe forcojmë konsensusin brenda mazhorancës por edhe do të kontribuojmë për një konsensus sa më të gjerë midis mazhorancës dhe opozitës. Unë shpresoj që opozita këtë mundësi të mos e keqpërdorë dhe të mos e shohë si një dobësi të mazhorancës por si një vullnet të saj për të përfshirë edhe opozitën për një zgjidhje konsensuale.
Ekziston mundësia që në raundet e ardhshme të shohim edhe një kandidaturë nga vetë Lëvizja Socialiste për Integrim?
Kjo nuk është aspak e rëndësishme. Angazhimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet kurorëzimi i këtij procesi si një proces konsensual.
Jemi pranë apo ende larg marrëveshjes për një kandidat konsensual me negociatat tuaja me Ramën dhe Berishën?
Unë mendoj se kemi një kandidat i cili, për sa i takon vlerave të tij, është i pakundërshtueshëm. Është e rëndësishme të eliminohen ato paragjykime të cilat do të përmbyllnin të gjithë këtë proces në mënyrë dinjitoze për të gjithë.