E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-oficeri masakron kambistin me levë

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Masakron mikun kambist me çekiç e levë, ndërsa dyshohet se motiv mund të jetë tentativa për ta grabitur. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në qytetin e Pogradecit, pas përleshjes mes dy personave. Ish-oficeri i ushtrisë, aktualisht tregtar bulmeti, Bashkim Muçka masakroi në shtëpinë e tij 56-vjeçarin Beqir Basha. Viktima u gjet pa jetë rreth orës 14.00. Sipas policisë, Basha ishte goditur me mjete të forta në trup e kokë. Plagë kishte marrë edhe autori 46-vjeçar, i cili pasi mori mjekimet në spitalin e qytetit, u izolua në ambientet e policisë. Ai shfaqi pendesë dhe pranoi krimin sapo u përmend, por pritet që të merret në pyetje dhe të zbardhë motivin e krimit. Policia bëri të ditur se, ngjarja ndodhi në banesën e Bashkim Muçkës, në katin e pestë të një pallati në lagjen nr.4 në Pogradec. Banorët e pallatit, të cilët sinjalizuan të parët policinë për ngjarjen, kanë ndërtuar pjesërisht rrjedhën dhe mekanizmin e këtij krimi. Ata kanë parë viktimën dhe autorin, pak para se të ndodhte krimi, teksa ngjisnin shkallët për në katin e pestë, tek banesa e Muçkës. Mësohet se Beqir Basha ishte mik i ngushtë me personin që dje i mori jetën. Ata kishin vite hyrje e dalje familjare. Në momentin e përleshjes fatale mësohet se në banesë nuk është ndodhur askush përveç tyre. Sipas dëshmisë së komshinjve në polici, fillimisht u dëgjuan biseda me tone të ashpra mes tyre. Më pas në banesë ka patur përleshje, derisa janë dëgjuar sende të hedhura dhunshëm. Të nxitur nga sherri dhe zhurmat në apartamentin e Bashkim Muçkës, fqinjët janë futur për të parë se çfarë po ndodhte. Por ata gjetën 56-vjeçarin të vdekur dhe të mbuluar me gjak dhe komshiun e tyre në gjendje të rëndë, të shtrirë përtokë me plagë në kokë. Ata sinjalizuan menjëherë policinë e cila nuk vonoi të verifikonte informacionin. Policia tashmë po heton në disa pista, pasi viktimës i është gjetur një shumë e konsiderueshme parash me vete.  Sipas shefit të Komisariatit të Policisë Ervis Sanxholli, i cili po merret edhe me hetimin e këtij krimi të rëndë, dy burrat janë zënë me fjalë e më pas situata precipitoi dhunshëm deri në masakër brenda shtëpisë. Ai nuk përjashtoi pistën e grabitjes, por gjithsesi pohoi se është ende herët për të folur, pasi nuk është marrë në pyetje autori. Dyshohet se 46-vjeçari të ketë probleme edhe me shëndetin mendor. Gjatë veprimeve në vend, policia gjeti një çekiç prej hekuri që ndodhej në dhomën ku ishin të dy, me të cilën është goditur kambisti. Afër viktimës është gjetur edhe një send prej hekuri, i ngjashëm me një levë. Mjetet e forta që u gjetën në vendngjarje hedhin dyshime se krimi është paramenduar.

Masakron 38-vjeçarin me gërshërë

POGRADEC - Policia e Pogradecit prangosi një 35-vjeçar, i cili sulmoi me gërshërë bashkëqytetarin e tij duke e plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi rreth orës 09.25 të së premtes në lagjen 3 të Pogradecit. Dritan Hoxhallari, i dënuar më parë për kalim të paligjshëm të kufirit, mësohet se ka goditur me gërshërë, në pjesë të ndryshme të trupit një 38-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. I dëmtuari ndodhet në spital jashtë rrezikut, ndërsa autori u arrestua për "plagosje të rëndë me dashje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›