E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në QSUT instalohet neuronavigatori cerebral

TIRANE- Në spitalin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është instaluar neuronavigatori cerebral që do të mundësojë realizimin e ndërhyrjeve ultrafine të pakryera më parë.

Paisja navigon dhe mundëson eksplorimin e trurit deri në në thellësi të tij. Vetë ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, ishte i pranishëm sot në pavionin e Neurokirurgjisë për të inspektuar ecurinë e projektit të pajisjes me aparatura mjekësore të këtij reparti.

Ministri deklaroi se me vënien e këtyre aparaturave në punë pacientet nuk kanë më nevojë të shkojnë jashtë shteti për të kryer ndërhyrje në tru.
Më tej, ai theksoi se “njëkohësisht ka mbërritur pjesa tjetër e pajisjeve, që, duke u kompletuar në fazën e tretë, ngre nivelin e departamentit dhe shërbimit. Projekti kap vlerën e 7 milionë eurove dhe kombinohet me kualifikimin profesional të mjekëve.

Departamenti i Neurologjisë-Neurokirurgjisë-Psikiatrisë, me 330 shtretër, është një nga 11 departamentet e QSUT-së, që përfaqëson shërbimin e vetëm të specializuar në tërë vendin në këtë fushë. Departamenti aktualisht mbulon jo vetëm Shqipërinë, por dhe shqiptarët që banojnë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, si dhe emigrantët që jetojnë në Greqi dhe Itali.
(s.g/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›