Në Therandë
Kosova ka nisur përgatitjen e “tortës” së ditëlindjes për pavarësinë, datë që e shënon këtë vend të lirë në histori, 17 shkurti. Mes hesapeve me të kaluarën, si përsëritjen e kërkesës ndaj Serbisë për kthimin e 1200 art-fakteve, apo problemeve me të sotmen e shpejtë, në kërkesën për ta konservuar dokumentin origjinal të deklaratës së Pavarësisë në Muzeun e Kosovës, në Suharekë shkëput vëmendjen politike i pari festival mbarëshqiptar i teatrit, për t’u identifikuar me festën e pavarësisë
Në rrugët e Suharekës njerëzit e ruajnë entuziazmin e lirisë. Lufta nuk ka qenë si ajo e Rahovecit, por suharekasit thonë se serbët i kanë bërë spastrimet në “paqe” në këtë vend, duke hequr familje të tëra pa armë, por me forcë. Nuk ndjehen me turp suharekasit pse nuk kanë bërë luftë, pse nuk kanë dalë në mal me armë në dorë, por rezistenca e tyre duket se është arma më e fortë. Vendasit mburren me vreshtat pafund, se si i shpëtuan pemët, se si ato japin frute sot dhe mbajnë jetën me to bashkë me bizneset e pakta. Megjithatë, si çdo vend i Kosovës, këta vendas të hershëm e kanë mburrje të thonë se janë më punëtorët. Shqiptarët e këtij qyteti janë myslimanë, por jo larg nga aty, afro 15 kilometra, në rrethet e Suharekës, është një fshat me emrin Sallagrazhd, që gjithë kohën ka pasur katolikë. Ndonëse në mes të qytetit të Therandës është “Xhamia e bardhë”, brezi i mesëm, a më të vjetrit mbajnë gjithmonë mend se ata kanë shkëmbyer festat, ritualet me njëri-tjetrin. Ndërsa më të rinjtë janë më indiferentë, nuk e dinë pse në mesin e qytetit të Therandës xhamia ka emrin “e bardhë”, ata thjesht ndjejnë qytetin që po feston, në pritje të “happy birthday”. Është ky slogan në fakt, që ka bashkuar edhe me tjetrën “Festo me Kosovën” gjithë shqiptarët jo si etni, por si evropianë të rinj. Mediat e vendit e njoftojnë me entuziazëm projektin “high tech” që ka publikuar shteti i tyre, ku këta evropianë të rinj në dyvjetorin e pavarësisë së Kosovës do marrin përmes internetit në “you tube” përshtypjet e njerëzve nga e gjitha bota, mesazhe përgëzuese për shtetin më të ri. Mediat e Kosovës raportojnë me saktësi se videot më të mira do të transmetohen në televizionet më të mëdha të botës si CNN, CNBS, “Euronews” etj.
Në këtë përpjekje të shqiptarëve të Kosovës për njohje ndërkombëtare, politikisht Saranda Elshani ndjek një shteg më të ngushtë për t’u vetënjohur së pari.
Në Suharekë është e vështirë të besohet kjo. Por vendasit kanë vendosur ta ripërtërijnë vetveten, si një gjenerim i brendshëm pse duhen njohur. Saranda në këtë këmbëngul kur na tregon idenë e saj për një festival mbarëkombëtar, ku të njihet së pari gjenerata e re e jona, e sidomos kultura.
Suhareka, një nga vendndodhjet më të lashta të Kosovës, që “rebelon” me emrin serb, duke vendosur në çdo tabelë të qytetit emrin e vjetër – Theranda.
Në këtë qytet të pagëzuar serbisht, kodrat në rrethina janë të mbuluara nga vreshta - simbol biblik i ripërtëritjes. Ashtu siç ndodh sot, me emrin dhe njerëzit e kësaj zone.
Saranda Elshani është aktore e re, e ikur nga Theranda - dhe e rikthyer bashkë me një grup miqsh, po suharekas. “Të gjithë jemi kthyer për Therandën”, - thotë Beharja Rexhepi, që jeton në Bruksel, ka mbaruar për arkitekturë, por magjistron për psikologji në Francë. Ajo është autore e shumë librave psikologjikë dhe sot Suharekën e sheh si përtëritje jo me ndjesinë emocionale, por si detyrë morale - gati një lloj krenarie, sa thotë që “Theranda jonë është pas Prizrenit, kemi qytetërim”.
Saranda, drejtorja artistike e festivalit, tregon se e donte këtë festival pikërisht për pavarësinë e Kosovës, për të mos e parë më këtë vend si pasojë konfliktesh etnike, por si integritet kulturor. Më mirë të themi se këtu ka një festival, sesa një teatër, - thotë Saranda, si për t’i mëshuar keqkuptimit dhe peripecitë që i ka shkaktuar ky organizim. Në veçanti ajo thotë se “nuk kanë marrë asnjë donacion nga Ministria e Kulturës, për ta shkëputur këtë veprimtari politikisht, duke e shënuar të parën në hartën e gjithë organizimeve që bëhen në Kosovë”. Në Therandë, bizneset kryesore të zonës janë mbledhur dhe kanë dhënë kontributin e tyre financiar për festivalin, po aq vëmendje i ka kushtuar dhe Komuna e Suharekës.
Për ta bërë Therandën një qendër, ku të pritet një pjesë e tortës së pavarësisë, Saranda ka marrë shumë miq, me cilësinë e yjeve nga teatri i Shqipërisë, por njëkohësisht ajo i quan në mënyrë emocionale si yjet më eminentë të teatrit shqip si Margarita Xhepa, Drita Pelingun, Tinka Kurtin, Luftar Pajën, Yllka Mujo etj. Theranda për herë të parë do të shohë teatrin në shtëpinë e kulturës “Ukë Bytyçi” dhe në qendrën rinore “Fellbahu”. “Është një nder për komunitetin tonë dhe një hap i pari, që do të kthehet në diçka tradicionale për çdo ditë të pavarësisë që ta kemi festivalin e mbarëkombëtar në Suharekë”, - thotë Isuf Lumi, këshilltar për media i kreut të Suharekës.
Ky festival është njëra prej ngjarjeve kryesore në shënimin e Ditës së Pavarësisë në këtë qytet, ku marrin pjesë teatrot nga të tria trevat tona, Tirana, Vlora, Prishtina, Gjilani dhe Tetova, ku për tetë ditë pritja e ditës festive do të kurorëzohet me çmimin e “Pavarësisë” për shfaqjen më të mirë. Kinemaja ku do të ngjiten shtatë trupa teatrore është gati e rrënuar, që të kujton Shqipërinë e viteve të para të ’90-ës. Mbushur plot të rinj ceremonia mbrëmë ka qenë modeste, pasi në këtë sallë kulture e ndërtuar qysh nga Lufta e Kosovës, nuk është vënë dorë. Ndaj dhe festivali është një mënyrë sensibilizuese për ta kthyer vëmendjen nga kultura. Zërat e burrave veshur me kostum gri, tenorë që dukej se mbanin më zor dhe rezistencë qytetarinë e Therandës – kënduan himnin e flamurit, duke bërë sallën të shpërthente në duartrokitje. Një fletushkë e vogël, në bardhë e zi, lajmëronte këtë festival, ku drejtorja artistike e festivalit, Saranda, ka dhënë si ide për festivalin se i takon hartës së Kosovës, me dy maska mbi të gati, elegjike - që tregojnë mundimin e brendshëm të këtyre njerëzve që të njihen në integritet, jo si pasojë lufte. “Na duhet kulturë për të mos kuptuar më ç’patëm nga lufta”, - thotë Saranda.