E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimet alternative, rriten kërkesat për lirime me kusht

Aplikimi i dënimeve alternative prej disa muajsh ka sjellë edhe shtimin e numrit të kërkesave për lirime me kusht në Gjykatën e Tiranës. Çdo ditë në këtë gjykatë shqyrtohen rreth 15 kërkesa, ku tashmë seanca asistohet dhe ka si palë edhe një specialist nga Shërbimi i Provës. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se të dënuarit që kërkojnë të përfitojnë lirim me kusht apo të pandehurit që kërkojnë të dënime alternative, duhet domosdoshmërish të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm, si dhe një mundësi punësimi në një sektor privat apo shtetëror nëse do të jetë e mundur. Nga personat e kontaktuar nga gazeta “standard”, të cilët janë liruar me kusht nga gjykata, bëhet e ditur se një pjesë e tyre para se të paraqisnin kërkesën për t’u liruar, u ishte mundësuar më parë nga familja një vend pune, kryesisht në sektorin privat dhe më pas i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës. Më pas, me vendimin e gjykatës, të sapoliruarit kanë kontaktuar specialistët e Shërbimit të Provës dhe kanë marrë informacion mbi kontaktet e shpeshta që duhet të kenë gjatë kohës që zbatojnë dënimin alternativ. Kjo procedurë vazhdon deri në përfundim të masës së dënimit, ndërkohë që specialistët e Shërbimit të Provës përpilojnë raporte sistematike mbi sjelljen e personit gjatë kohës që zbaton dënimin alternativ. Burime nga Shërbimi i Provës shprehen se ka një numër të konsiderueshëm që kanë përfituar nga ky shërbim, konkretisht duke vijuar studimet e larta apo duke u punësuar në sektorë privatë. Por, sipas burimeve, ka edhe persona që kanë përfituar nga ky shërbim, por jo liri të plotë, por gjysmëliri. Për këta persona, hartohet një program ditor individual, i cili përmban detyrimet e të dënuarit gjatë kohës që ndodhet jashtë institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, duke përcaktuar: oraret e hyrjes dhe daljes në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale; personat me të cilët i dënuari lejohet ose ndalohet të mbajë kontakte gjatë kohës së qëndrimit jashtë institucionit; ambientet e lejuara dhe ato të ndaluara për frekuentim; si dhe kushte të tjera në bazë të specifikës së personit.

Përcaktimi i llojit dhe vendit të punës

Kur gjykata ka caktuar ndaj të dënuarit masën alternative të parashikuar nga neni 63 i Kodit Penal, në favor të interesit publik, Shërbimi i Provës vendos llojin e punës që do kryhet, vendin ku do të kryhet dhe ditët e javës. Ndërsa, kur gjykata ka caktuar në vendimin e saj kryerjen e një pune në favor të interesit të një shoqate, Shërbimi i Provës përcakton llojin e punës dhe ditët e javës. Në marrjen e këtij vendimi, Shërbimi i Provës vlerëson llojin e veprës penale të kryer, treguesit personalë të të dënuarit si arsimi, mosha, gjendja shëndetësore, aftësitë profesionale, përvojën e mëparshme të tij dhe kushte të tjera sociale apo familjare të të dënuarit. Shërbimi i provës në caktimin e vendit ku do të kryhet puna me interes publik merr në konsideratë vendbanimin e të dënuarit. Kur brenda territorit të vendbanimit të të dënuarit nuk ka një institucion të përshtatshëm, Shërbimi i Provës cakton një institucion tjetër të së njëjtës natyrë, që ndodhet në rrethin më të afërt me vendbanimin e të dënuarit.

Programi

Pas përcaktimit të institucionit, Shërbimi i Provës harton dhe zhvillon një program për kryerjen e punës me interes publik në përputhje me nenin 28 të kësaj rregulloreje, i cili përmban: a) ditët e javës gjatë të cilave do të kryhet puna, oraret për fillimin dhe mbarimin e punës dhe veprimtaritë e përditshme; b) mënyrën e takimeve me punonjësin e Shërbimit të Provës, si dhe c) elemente të tjera të nevojshme. Por, kur i dënuari është person i mitur, programi ditor duhet të hartohet duke marrë parasysh moshën, interesin më të lartë të fëmijës, nevojat psiko-sociale, duke u konsultuar me prindërit, kujdestarin, mbrojtësin e tij ose persona të tjerë të kërkuar nga i mituri. Shërbimi i Provës lidh marrëveshje me subjektet, me të cilat do të kryhet puna me interes publik për përmbushjen e programit. Marrëveshja përcakton programin, punën që do të kryhet, personin përgjegjës të caktuar nga subjektet për të mbikëqyrur realizimin e punës nga i dënuari, si dhe detyrimin e subjekteve për të njoftuar menjëherë Shërbimin e Provës në rastet e mospërmbushjes nga i dënuari të detyrimeve. Gjithashtu, Shërbimi i Provës shpjegon tek personi përgjegjës i caktuar për mbikëqyrjen, që është e nevojshme të evidentohen orët e punës mbi baza ditore, për të verifikuar nëse orari i punës ditore është respektuar apo jo, si dhe për të informuar rregullisht Shërbimin e Provës mbi nivelin e performancës në punë të të dënuarit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›