E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Tunizi për pikë të Olimpiadës

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi këtë fundjavë do të marrë pjesë në Kupën Botërore, kategoria A “Grand Prix”, e cila njëherësh shënon edhe garën e parë zyrtare ku pikët e fituara janë të vlefshme për ranglistën botërore të xhudos dhe direkt të vlefshme për plasman sa më të mirë në ranglistën e garueseve pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Londra 2012. Këtë e ka bërë të ditur trajneri i Majlindës, Driton Kuka.

“Në Tunizi merr pjesë elita e xhudos botërore dhe ne shpresojmë që Majlinda ta fillojë me sukses këtë cikël përfundimtar olimpik 2 vjeçar. Është interesant të ceket se xhudos kosovare iu ka lejuar të marrë pjesë në kualifikimet për Lojëra Olimpike dhe ky është një privilegj, sidomos për ata garues që synojnë të jenë në mesin e bartësve të grupeve në Olimpiadë”, tha ai.

Në këtë garë, e cila ndihmohet nga Departamenti i Sportit pranë Ministrisë, Kosovën do ta përfaqësojë vetëm Majlinda Kelmendi në kategorinë deri në 52 kilogramë. Gara në Tunizi mbahen prej 7 deri më 9 maj. Sipas Kukës, në Tunizi imperativ i Kelmendit nuk është medalja, por fillimi i fitimit të pikëve dhe në këtë mënyrë, pas një lufte të madhe 2 vjeçare, qëllimi i Kelmendit dhe trajnerit të saj është që në majin e vitit 2012, kur do të përmbyllet cikli olimpik kualifikues, Majlinda të jetë në mesin e 8 të parave në rangliste, e në atë rast gjasat e saj për medalje do të ishin reale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›